“Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, ne qëndrojmë në krah të grave dhe vajzave që luftojnë për të drejtat e tyre dhe zotojmë të përshpejtojmë përparimin.”. Kështu tha Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres në mesazhin e tij. “Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, ne nderojmë gratë dhe vajzat në mbarë botën dhe përshëndesim gjithçka që kanë arritur në luftën për barazi. Gratë dhe vajzat kanë ecur përpara, duke thyer barrierat, duke thyer stereotipet dhe duke çuar progres drejt një bote më të drejtë dhe më të barabartë”, thekson ai në mesazhin e tij.
Në të njëjtën kohë, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së pranon se gratë përballen me pengesa të mëdha. “Miliarda gra dhe vajza përballen me margjinalizimin, padrejtësinë dhe diskriminimin, ndërsa epidemia e vazhdueshme e dhunës ndaj grave turpëron njerëzimin. Bota jonë ende pasqyron mijëvjeçarë të marrëdhënieve të pushtetit të dominuara nga meshkujt. Dhe progresi është nën sulm, me një reagim të fortë kundër të drejtave të grave”.
Në këtë kontekst, Antonio Guterres vlerëson se me ritmet aktuale, barazia ligjore është rreth treqind vjet larg dhe nënvizon nevojën “për të ecur shumë më shpejt”. Duke iu referuar temës së këtij viti “investoni në gratë”, António Guterres vëren se ajo na kujton se fundi i patriarkatit kërkon vendosjen e parave në tryezë. “Ne duhet të mbështesim organizatat e grave që janë në vijën e parë. Ne duhet të investojmë në programe për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave dhe për të promovuar përfshirjen dhe udhëheqjen e tyre në ekonomi, teknologji dixhitale, ndërtimin e paqes dhe veprimin ndaj klimës. E gjithë kjo varet nga zhbllokimi i financimit për zhvillim të qëndrueshëm në mënyrë që vendet të kenë kapital në dispozicion për të investuar tek gratë dhe vajzat. Ne gjithashtu duhet të rrisim numrin e grave drejtuese në biznes, financa, banka qendrore dhe ministritë e Financave. Kjo mund të ndihmojë në promovimin e investimeve në politika dhe programe që u përgjigjen nevojave të grave dhe vajzave”, shpjegoi ajo.
Së fundi, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së thekson se të drejtat e grave janë një rrugë e dëshmuar drejt shoqërive të drejta, paqësore dhe të begata dhe kërkon: “Së bashku, le të ndërmarrim veprime urgjente për t’i bërë ato realitet”.
(BalkanWeb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co