Dy të rinj, Phoe Tay, 21 vjeç, dhe Thar Htaung, 20 vjeç, janë lidhur në një dru, ndërsa një zjarr po ndizet nën ta. Përderisa tymi përhapet e flaka po ua kaplon trupat, dy të rinjtë bërtasin në agoni – momentet e tyre të fundit me dhimbje të paimagjinueshme të incizuara në video.
Dy të rinjtë ishin larguar nga fermat e tyre familjare në veriperëndim të Mianmarit për t’iu bashkuar një grupi të armatosur lokal të rezistencës pas puçit ushtarak të vitit 2021, duke shpresuar se do t’i sillnin paqe e demokraci shtetit të Azisë Juglindore, i thanë televizionit CNN baballarët e tyre.
Sidoqoftë, ata ishin kapur gjatë një beteje kundër ushtrisë më 7 nëntor të vitit të kaluar dhe ishin dërguar në një fshat të afërt, ku ishin torturuar dhe vrarë nga militantët pro qeverisë ushtarake, para syve të ushtarëve të Mianmarit, sipas dëshmitarëve.
Vdekja e Phoe Tay-t dhe Thar Htaung-ut është e tmerrshme, por këto dy raste nuk janë thjesht anomali në Mianmar, ku ushtria është duke zhvilluar një luftë terrori kundër civilëve, përderisa veten e gjen gjithnjë në disavantazh kundër një rezistence të armatosur gjithëkombëtare, e vendosur për ta rrëzuar atë nga pushteti.
Këto sulme vetëm janë shtuar që nga fillimi i një ofensive të rebelëve para pesë muajve, e cila rezultoi në humbje të mëdha dhe dezertime për ushtrinë, konfirmuan disa burime.
Përmes zbatimit të taktikave të tmerrit, përfshirë djegiet, heqjen e kokës, gjymtimin, djegien e fshatrave e përmes fushatës së bombardimit masiv ajror, që e ka shkaktuar zhvendosjen e gati tre milionë njerëzve, ushtria e Mianmarit po mundohet që ta kontrollojë dhe ta përçajë popullsinë përmes një doktrine të vjetër të frikës dhe brutalitetit, thonë dëshmitarë e analistë.
Shefi i agjencisë për të drejtat e njeriut në OKB, Volker Turk, rishtazi e quajti këtë situatë “ankth nate të pafund”, ku “aktet brutale kryhen nga ushtarë të trajnuar kundër popullit të vet” me “shpërfillje të frikshme për jetën njerëzore”.
Televizioni CNN ka kërkuar koment nga zëdhënësi i qeverisë ushtarake të Birmanisë për këto vrasje dhe për sulmet e saj ndaj civilëve, por nuk ka marrë përgjigje. Ushtria në mënyrë të përsëritur ka thënë se nuk i vë në shënjestër civilët dhe shpesh pretendon se janë forcat e rezistencës ato që kryejnë dhunë.
Fshati Myauk Khin Yan ka qenë skenë edhe e vrasjeve të tjera të tmerrshme, që raportohet se janë kryer nga militantët dhe ushtria e Mianmarit me bazë në këtë fshat.
Në mars të vitit 2022, një banor i fshatit ishte lidhur me zinxhir në qafë pas një automjeti dhe ishte tërhequr zvarrë derisa kishte vdekur, kishin raportuar mediat lokale në atë kohë.
Televizioni CNN nuk mund t’i vërtetojë këto incidente në mënyrë të pavarur, por ato përputhen me përshkrimet e dëshmitarëve se si militantët dhe ushtria operojnë në Myak Khin Yan.
Sulmet e ushtrisë kundër civilëve që nga puçi ushtarak para tre vjetëve janë cilësuar si krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga hetuesit e OKB-së dhe nga shumë organizata për të drejtat e njeriut.
Qeveria ushtarake nuk ka gëzuar kurrë kontroll të plotë të Mianmarit dhe tani është duke u ballafaquar me rrezikun më të madh ndaj qëndrimit të saj në pushtet. Ajo po humb territor dhe ka raportime për dezertim masiv të ushtarëve, madje me batalione të tëra.
“Ata janë të zemëruar, janë të frustruar. Kur nuk mund të fitosh, ajo që të mbetet është ndëshkimi” – tha Richard Horsey, këshilltar i lartë i Mianmarit.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co