Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, tha të premten se nuk është në pozitë për të udhëhequr bisedime mes Ukrainës dhe Rusisë, pas raportimeve se ai do të udhëtojë në Moskë gjatë ditës për t’u takuar me presidentin rus, Vladimir Putin.
Orbani është kritik i ndihmës së Perëndimit për Ukrainën në luftë kundër pushtuesit rus, dhe ka marrëdhënie më të mira me Putinin se çdo lider evropian.
Ai tha se fakti se Hungaria mban kryesimin e BE-së tani, nuk i jep atij mandat të udhëheqë negociata në emër të bllokut.
“Unë nuk kam nevojë për një mandat, sepse unë nuk përfaqësoj asgjë”, tha Orban gjatë një interviste, pa treguar nëse do të udhëtojë në Moskë më vonë gjatë ditës.
“Krejt çka bëj unë është, shkoj nëpër vende ku ka luftë, apo kërcënim për luftë që kërcënon Bashkimin Evropian dhe Hungarinë, apo që ka pasoja të këqija për to, dhe bëj pyetje”, shtoi ai.
Charles Michel, president i Këshillit Evropian, shkroi në X se “udhëheqja me rotacion e presidencës së BE-së nuk ka mandat që të angazhohet me Rusinë në emër të BE-së”.
“Këshilli Evropian është i qartë: Rusia është agresorja, Ukraina është viktima. Nuk ka diskutime për Ukrainën, pa Ukrainën”, tha Michel.
Në fillim të kësaj jave, Orbani u takua me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në Kiev, ku i bëri thirrje atij ta shqyrtojë një marrëveshje për armëpushim për t’i dhënë fund më shpejt luftës me Rusinë.
Të premten, Orbani tha se i bëri Zelenskyt “tri prej katër pyetjeve të rëndësishëm” për të kuptuar se “sa larg është Kievi në gjendje të shkojë për paqen”.
Orbani e vizitoi Rusinë më 2022, por s’u takua me Putinin. Megjithatë, ata janë takuar në vende të tjera prej atëherë./REL
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co