“Dola për të blerë ushqim. Më drejtuan kallashin dhe…”/ “Në Shënjestër” interviston burrin nga Kosova që përjetoi tmerret gjatë luftës

dola per te blere ushqim me drejtuan kallashin dhe ne shenjester interviston burrin nga kosova qe perjetoi tmerret gjate luftes
dola per te blere ushqim me drejtuan kallashin dhe ne shenjester interviston burrin nga kosova qe perjetoi tmerret gjate luftes

Emisioni “Në Shënjestër” nga Klodiana Lala në News 24, ka trajtuar mbrëmjen e sotme rastet e përdhunimeve në Kosovë nga forcat paramilitare serbe gjatë luftës në vitin 1999. Përmes dëshmive të dy prej protagonistëve të rasteve të tilla, rrëfehen tmerret që përjetuan jo vetëm gratë por edhe burrat.

Pjesë nga dokumentari:

Jeta ishte e mirë deri në momentin që u shfaq lufta. Më kujtohet si sot ka qenë një shtëpi e pa ndërtuar. Ai e ka bërë të vetën. Më ka dhunuar. Kam qarë shumë, kam bërtitur shumë. Minutën që ai ka filluar të më dhunojë, aty nuk kam ditur më për vete. Asgjë nuk më është dukur më interesante. Aspak…

Kjo që do t’ju rrëfejmë është një nga historitë më të dhimbshme, të asaj që dikur ishte represioni i forcave serbe në Kosovë. Ai sot ka vendosur të flasë, të mos e ndajë më turpin me vetveten, por t’i tregojë opinionit publik deri ku shkonin çmenduritë dhe perversitetet poshtëruese, të forcave paramilitare serbe.  Të rinj të droguar të veshur me uniformat ushtarake të shtetit serb, të cilët nuk u ndalën në makabritetin e tyre jo vetëm te gratë dhe vajzat, por edhe te meshkujt dhe burrat kosovarë, të cilët një pjesë i vranë dhe eshtrat e tyre nuk gjenden edhe sot, dhe një pjesë tjetër i dhunuan seksualisht. Një histori e pakonceptueshme për Evropën dhe kohën ku jemi, që tregohet rrallë, por që plaga e saj vazhdon ende të mbetet brenda këtyre njerëzve, që përjetuan drama të tilla, gati në kufijtë e përtej çmendurisë.

[embedded content]

Por nëse shumë njerëz të abuzuar seksualisht nga forcat serbe në Kosovë, kanë vendosur ta mbajnë për vete këtë brengë të tyren, ai ka zgjedhur të bëjë të kundërtën. Edhe pse duke ruajtur anonimatin, për hir të një shoqërie e cila vazhdon të jetë konservatore në mendimet e saj, për sa i përket çështjeve të tilla.

Ne kemi vendosur bashkërisht ta quajmë Ilir. Edhe pse ky nuk është emri i tij i vërtetë. Dhe për herë të parë ai ka vendosur ta tregojë këtë histori për një ekran shqiptar. Se si në vitin 1999, kur lufta kishte filluar në Kosovë, ai u ndalua nga forcat paramilitare serbe, u tërhoq mënjanë, dhe u dhunua seksualisht duke e zhburrnuar. Dhe më pas u rrah barbarisht me qyta arme, nga me siguri të rinj serbë të veshur si paramilitarë, në efektet e lëndëve narkotike.

“Ngjarja është shumë e tmerrshme. Ka qenë diku nga marsi dhe atë ditë kemi shkuar të blejmë diçka. Më kujtohet si sot, ka qenë një shtëpi pa çati, dhe aty ka qenë një postbllok i paramilitarëve serbëve”, thotë Iliri.

Ai e ka para syve edhe sot të gjithë ngjarjen, e cila i kalon shpesh përpara si një film me metrazh të shkurtër. Sikur të kishte ndodhur dje, dhe jo 25 vite më parë.

Ai rrëfen se në atë amulli që ishte krijuar në Kosovë, ku të gjithë rendnin të shpëtonin kokën dhe të siguronin ushqimet bazike, edhe ai kishte dalë në tregun e qytetit për të siguruar mjetet e mbijetesës. Por pa e menduar se kjo dalje nga banesa, do të kthehej në një ditë të tmerrshme, që do të linte për të një nga vragat më të thella të jetës së tij në vazhdim. “Njëri më ka kthyer dhe ma ka thënë: Ti ndalo. Në serbisht, ndalo. Ata ishin katër. dy të ndalonin dhe të merrnin në pyetje. Po ishin të rinj ishin shumë. Unë e hoqa lejen e njoftimit dhe ua dhashë. Dhe atëherë ata duke folur me njëri-tjetrin, njëri prej tyre tha: Merre çoje te ajo shtëpia, vrite”, thotë Iliri. Por ndërsa në atë moment ai mendoi se jeta e tij do të kishte një fund tragjik, ashtu si shumë bashkëatdhetarë të tjerë që ai kishte dëgjuar se ishin pushkatuar nga togat e paramilitarëve serbë, që qarkullonin nëpër fshatra dhe qytete, duke djegur banesat dhe masakruar me bajoneta njerëz të pafajshëm, më e keqja, duket se ishte ende larg mendimeve të tij të para.

Ai nuk do ta mendonte kurrë se mendjet e sëmura të këtyre të rinjve të armatosur dhe të veshur me rrobat e policisë serbe, do të rezervonun për të një poshtërim edhe më të rëndë se vetë vrasja. Një vrasje për së gjalli, një shenjë që ai do ta merrte me vete kudo që të shkonte.

“Te qoshja e shtëpisë aty më kanë ndaluar. I kam nxjerrë paret,  dhe m’i kanë marrë. Jam zhveshur, i kam hequr pantallonat, deri në fund të këmbëve. Aty ka ardhur njëri me automatik, kurse tjetri më tha: Ktheu përmbrapa.

Unë kam filluar me bërtitur. Në atë moment kam menduar që ai do më godasë me thikë pas shpine. Ai më ka kapur nga pas, nga flokët dhe më ka ngreh nga mbrapa. Sigurisht më ka dhunuar, dhe e ka bërë të vetën. Kam qarë shumë, kam bërtitur shumë….”, thotë ai.

Por ata nuk u mjaftuan vetëm me faktin që e abuzuan seksualisht. Pasi kryen të gjitha përçudnimet e mundshme me të, Iliri thotë se ata e rrahën brutalisht edhe me kondakët e automatikëve që ia mbanin mbi krye.

“I pari më ka rrahur shumë. Atë nuk e harroj ndoshta edhe pas 100 mijë viteve. Ai më qëllonte pas shpine, dhe më thoshte në serbisht: Mos bërtit…Kurse ai tjetri thoshte: Bjeri në kokë, mbyte. Më ka rrahur aq shumë, më ka rënë pas koke, aq shumë saqë ndoshta thosha më mirë të më vrasin”, shprehet më tej.

Ai nuk e tregoi kurrë më pas historinë e tij. As nuk pati kurajën të fliste me dikë se çfarë i ndodhi në atë ditë marsi, të 25 viteve më parë. Por fytyrat e dhunuesve të tij ai nuk  mundi ti shqisë kurrë nga kujtesa. Madje të kujtojë edhe detaje të pështira, që vetëm njerëz normalë me mendje të shëndoshë, nuk mund ti kryejnë.

“Nuk mundesh të harrosh sepse ajo ka qenë dhunë. Jetën do ta kisha ndryshe sikur ai që e bëri atë të gjë të kishte vuajtur dënimin. Sepse ti nuk mundesh ta falësh kurrë, sepse ai të ka dhunuar. Ata kanë qenë 100 përqind në ndikim droge…”, shprehet.

Feride Rushiti, është mjeke dhe drejtuese e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, qendër e cila ofron mbështetje mjekësore, ligjore dhe financiare për të mbijetuarit e përdhunimeve të kohës së luftës. Ajo është ndeshur për herë të parë me rrëfimet e këtyre krimeve gjatë punës së saj si mjeke në vitin 1999, u ka dëgjuar nga pranë historitë e trishta të këtyre viktimave

“Gjatë luftës jo vetëm unë por edhe shumë mjekë, ishim të angazhuar për tju ardhur në ndihmë mijëra kosovarëve. Aty ka qenë edhe kontakti im i parë me to, në rrethanat e kampeve kryesisht në Kukës, ku për herë të parë më ka qëlluar të takoj gratë dhe vajza, por edhe burra të cilët kishin përjetuar dhunën seksuale nga lufta”, thotë mjekja. Ajo që pason më tej është edhe më e dhimbshme. Nevoja për të gjetur forca, për t’u ngritur. Për të harruar atë çfarë ka ndodhur.  Për të parë në sy shoqërinë dhe për t’ia rrëfyer dramën e jetës së tij.

Një shoqëri e papërgatitur për të kuptuar pasojat e luftës, qofshin ato edhe të hidhura si ky rrëfim tronditës. Por edhe për një arsye, që ka të bëjë me atë që quhet burrnia e një mashkulli, si do ta presë shoqëria, tregimin e tij? A do ta mirëkuptojë dhe do ndihet i lirë nga shikimet, apo ato do ta shikojnë me një sy tjetër? Kjo mendësi, duket se e ka mbajtur edhe më të mbyllur Ilirin në rrëfimin e tij. Qoftë edhe për ta mbajtur larg një publiku, që kërkon të dijë se çfarë ndodhi gjatë asaj lufte dhe se si u sollën serbët me popullatën e pambrojtur?

 “Unë për vete kurrë se kam ditur që mund t’ja rrëfej dikujt këtë histori, kjo pasi ende në Kosovë është turp që një mashkull të dalë të flasë për këtë dhunë. Po kur kam folur me organizatën atëherë unë jam çliruar dhe kam qenë shumë më i fuqishëm”, thotë Iliri. Aq e vështirë ka qenë kjo bisedë dhe traumë për Ilirin, sa ai thotë se shpesh kur është ulur në tavolinë me miqtë e tij, e ka pasur të pamundur të dëgjojë deri në fund histori të luftës. Ndaj pa dhënë asnjë shpjegim ai është detyruar të shkëputet nga shoqëria, për shkak të asaj që njihet edhe si thirrja e traumës që ka kaluar. Traumë e cila edhe sot është aty, bashkë me të.

Fëmijët e tij edhe sot nuk e dinë atë çfarë i ka ndodhur. “Unë e kam lënë gotën në tavolinë, jam çuar dhe kam hyrë në një shtëpi tjetër që ishte aty afër… Aty kam qarë dhe kam shtrënguar veten…e kam ndjerë veten shumë keq. Ti s’mundesh të rrish në një vend kur dikush flet për një burrë ose një grua që është e dhunuar, apo nuk ka përkrahje prej askujt. Ashtu mendoj edhe unë për vete, se si kam vuajtur”, shprehet më tej.

Në Kosovë sot thuhet se janë mbi 4000 mijë gra dhe burra që kanë rënë pre e dhunës seksuale të rezervistëve serbe, gjatë vitit 1999, të cilët trajtohen me asistencë ligjore dhe psikologjike. Kjo pasi dihet trauma që këto viktima, mund të përjetojnë deri në fund të jetës së tyre.

 “Kryesisht ne flasim për rreth 20 000 gra dhe burra të dhunuar. Komisioni Qeveritar për Njohjen e Dhunës Seksuale si krim lufte janë paraqitur rreth 2 000 gra dhe burra, ku mbi 1700 prej tyre sot gëzojnë përfitime”, u shpreh ai.

Sot Iliri është në mesmoshë, është i martuar dhe me fëmijë. Dhimbjen edhe pse nuk e ka rrëfyer plotësisht dhe shumë njerëz të afërm nuk e dinë ende historinë e tij, ia ka vendosur ta kthejë në forcë, duke ndihmuar edhe shumë viktima të tjera të krimeve seksuale në Kosovë, të cilat janë me mijëra dhe nuk kanë pasur guximin as ti raportojnë këto krime. Për shkak të paragjykimit që rron rëndom midis tyre. Një nga këto raste ai tregon se shkoi ta takojë vetë. Një grua që ishte dhunuar fizikisht dhe seksualisht nga forcat paramilitare serbe.

“Tha;’Ti nuk di çfarë më ka ndodhur mua’. Dhe mbeta, i thashë; Fol se ndoshta mundem të të ndihmoj. Ndoshta i kam njerëzit që munden të të ndihmojnë. Ajo tha se pasi kemi shkuar në një vend si mal, te një i afërm i jonë, qëndruam aty. Kur paramilitarët serbë e kanë çelur derën, unë isha duke u larë. Ata thirrën njëri tjetrin, ‘hajdeni shikoni çfarë ka këtu’.  Jam munduar të mbështillem me disa rroba të miat dhe e kam mbuluar trupin. Por ai ka hyrë, vet i dyti dhe aty për aty më kanë dhunuar”, rrëfeu.  

Për mjeken Feride Rushiti, ata që e kanë më të vështirë të tregojnë aspekte të dhunës seksuale që kanë përjetuar gjatë luftës, janë meshkujt. Ndërsa shoqëria duket e papërgatitur për t’i pranuar ende, me rrëfimet që ata kanë.

 “Burrat mendoj që vuajnë nga ai stigmatizimi për faktin që shoqëria është ende patriarkale. Burri me pozicionin si diçka të fortë që e mbron vetveten e mbron familjen e mbron nderin e familjes. Pastaj kur ato vlera ndeshen me këtë lloj  konflikti, atë e bën shumë të pafuqishëm…shumë të dobët për të arritur të kërkojë shërbime”, tha mjekja Rushiti.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

dsaadmin

Learn More →