Ish-Presidenti Donald Trump ka fajësuar Presidentin Joe Biden dhe zëvendësen e tij, Kamala Harris, për atentatin e dështuar të muajit të kaluar kundër tij, duke i akuzuar ata se ia kanë bërë të vështirë Shërbimit Sekret mbrojtjen e tij.
Në një tubim të fushatës në Butler, Pensilvani, muajin e kaluar, Trump u godit në vesh nga një plumb pasi një person i armatosur 20-vjeçar hapi zjarr nga çatia e një ndërtese aty pranë.
“Kur ndodhte kjo njerëzit pyesnin, kush është faji?”, i tha Trump, McGraw. Në vijim ai shtoi “mendoj se në një farë mase është faji i Bidenit dhe i Harris. Dhe unë jam kundërshtari. Ata kanë armatosur qeverinë kundër meje, ata sollën të gjithë Departamentin e Ddrejtësisë për të provuar të më kapnin, ata nuk ishin shumë të interesuar për shëndetin dhe sigurinë time”.
Dhe në vijim të akuzave, Trump u shpreh “ata po e bënin shumë të vështirë që të kisha personelin e duhur për sa i përket Shërbimit Sekret”.
Shërbimi Sekret pranoi në ditët pas atentatit ndaj Trump se detaji i sigurisë së ish-presidentit ishte ankuar për mungesë sigurie dhe personeli në dy vitet e mëparshme, duke pranuar se ata refuzuan disa kërkesa.
Drejtoresha e agjencisë, Kimberly Cheatle, dha dorëheqjen pas një seance të nxehtë në Capitol Hill, në të cilën anëtarët republikanë të Kongresit e sulmuan atë për dështimin për t’iu përgjigjur në mënyrë adekuate pyetjeve mbi mangësitë e mundshme të sigurisë që çuan në përpjekjen për të vrarë Donald Trump.
Megjithatë, nuk ka asnjë provë që Biden dhe Harris, të cilët të dy e dënuan përpjekjen, ishin të përfshirë drejtpërdrejt ose ndërhynë në marrëveshjet e Shërbimit Sekret.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co