Drejtori sportiv i Bajernit ka alarmuar me deklaratën e tij duke thënë se nuk bëjnë dot parashikime se kur mund të ketë afrime të reja. Pas transferimeve të disa prej lojtarëve që kanë kushtuar në total 125 milionë euro, Hiroki Ito nga Shtutgarti, Olse nga Kristal Palas dhe Palinja nga Fulhami, krerët e klubit e kanë urdhëruar atë që në fillim të gjeneronte të ardhura nga shitjet e lojtarëve pasta të bënte blerje të tjera.
Kjo lëvizje bëhet për të mos pasur një ekip të fryrë dhe në mënyrë që merkato të vetëfinancohet. Tani Eberl zbuloi se do të duhet pak kohë që ai të zbatojë këtë kërkesë dhe më pas të finalizojë blerjen e mëtejshme të yjeve. Ai ka folur për Bild duke e pranuar këtë situatë.
“Çështja e shitjeve nuk varet vetëm nga klubi, por edhe nga palët e tjera që janë të përfshira. Është e vështirë për mua që të parashikoj se kur mund të ndodhin afrimet, ndoshta në ditët e ardhshme apo në fund të muajit”, tha Eberl.
E thënë thjeshtë, ai shpreson që të ketë shitje të shpejta, por nuk përjashtohet mundësia që ato të vijnë në fund të afatit të transferimeve, pra më 30 gusht. Kjo gjë do të prishte shumë planet dhe do të komplikonte transferimet e lojtarëve të dëshiruar dhe të vënë në shënjestër si Due nga Renes apo Xhonatan Tah, mbrojtësi i Leverkusenit.
“Të gjitha transferimet janë të vështira. Skuadrat që blejnë duan të shpenzojnë sa më pak të jetë e mundur dhe skuadrat që shesin duan që të fitojnë sa më shumë. Rrallëherë ka një konsensus që të arrihet menjëherë vendimi i duhur. Tani lojtarët dhe menaxherët e tyre flasin dhe diskutojnë për aspekte të ndryshme se bonuset dhe klauzolat, që luajnë një rol në shifra. Prandaj duhet pak durim. Tregu i merkatos ka ndryshuar rrënjësisht vitet e fundit.
Edhe klauzolat e largimit nuk janë më aq të qarta”, thotë Eberl. Pozicioni i tij për momentin nuk është i lehtë sepse e gjithë Europa e di që duhet të largojë disa lojtarë dhe nuk bëjnë oferta të çmendura për ta, por negociojnë me çmime të ulëta. Por ai e di gjithashtu që përfaqëson Bajernin e Mynihut dhe nuk duhet të lëkundet. “Vetëm se drejtuesit thonë se duhet të largojmë disa lojtarë, kjo nuk do të thotë që klubet e tjera të sjellin oferta që nuk justifikohen aspak për ne”, ka thënë drejtori.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co