TIRANË – Në ambientet e DPPSH-së, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit mirëpriti Drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare kundër Krimit të Britanisë së Madhe (NCA). Në takim gjithashtu të pranishëm Ambasadori britanik Alastair King-Smith, si dhe Zv/drejtori i Agjencisë, menaxheri që mbulon rajonin dhe oficerë ndërlidhës të saj.
Fokuse të këtij takimi:
✅ngritja e një task force kundër krimit të organizuar;
✅ngritja dhe konsolidimi i skuadrave të përbashkëta hetimore;
✅shkëmbimi i vendimeve penale, me qëllim sekuestrimin e pasurive që rrjedhin nga krimi;
✅shkëmbimi i menjëhershëm i informacioneve, me qëllim goditjen e grupeve kriminale.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku në takim evidentoi rezultatet e punës së Policisë së Shtetit, gjatë vitit 2023, më të mirat e arrira përsa i përket luftës kundër krimit të organizuar dhe menaxhimit të fluksit shumë të lartë të turistëve, pa u shënuar ngjarje kriminale. Më tej, Drejtori rikonfirmoi zotimin e Policisë së Shtetit si partnere stoike, profesionale dhe e besueshme në luftën kundër krimit të organizuar dhe kundër aseteve të tij.
Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare kundër Krimit të Britanisë së Madhe (NCA) Graeme Biggar e cilësoi bashkëpunimin me Policinë e Shtetit si model për t’u ndjekur nga agjenci të tjera të zbatimit të ligjit. Gjithashtu, nënvizoi se ky bashkëpunim është ndërtuar mbi themele të forta besimi, të cilat u dëshmuan dhe nga rezultatet shumë të mira të punës së Task Forcës kundër Emigrimit të Paligjshëm.
(BalkanWeb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co