Shqipëria luan këtë të hënën ndoshta ndeshjen më të rëndësishme të historisë së saj. Kuqezinjtë përballen në Euro 2024 në sfidën e tretë në grup me Spanjën e kualifikuar, duke ditur se kanë në dorë fatin e tyre për të shkruar historinë dhe për të kaluar në fazën me eliminim direkt. Sigurish, nuk do të jetë e lehtë për kuqezinjtë përballë një prej skuadrave pretendente, por lojtarët në fushë do të jenë të ndërgjegjshëm që në start që rezultati pozitiv i kalon në turin tjetër.
Në rast fitoreje, Shqipëria ka thuajse të sigurt vazhdimësinë më tej në turne të paktën ndër të tretat më të mira, pasi realisht mund të renditet edhe e dyta në grup në varësi të përfundimit të sfidës mes Italisë dhe Kroacisë. Sipas ekspertëve të statistikave, në situatën aktuale të grupeve, 4 pikë janë të mjaftueshme për të siguruar vazhdimësinë në turne, sidomos nëse nuk ke golavarazh negativ.
Por ekziston edhe një variant ku Shqipëria mund të kualifikohet me barazim. Nëse kuqezinjtë marrin një pikë ndaj Spanjës dhe Kroacia nuk fiton ndaj Italisë, atëherë ekipi i drejtuar nga Silvinjo do të ishte ai që do renditej në vendin e tretë në grup gjithsesi meqë ka golavarazh më të mirë se Kroacia.
Megjithatë, kualifikimi më pas mes të tretave më të mira do të varej nga rezultatet e grupeve A, C dhe F ku duhet të plotësohen skenarë të veçantë në të paktën dy prej tyre për të bërë ëndrrën realitet.
Në Grupin A, duhet që ndeshja mes Skocisë dhe Hungarisë të mbyllet në barazim. Në Grupin C duhet që Anglia të mundë Slloveninë dhe ndeshja Danimarke-Serbi të mos mbyllet në barazim. Ndërsa në Grupin F, duhet që Çekia dhe Gjeorgjia të mos fitojnë ndeshjet përkatëse.
Njëkohësisht, përtej këtyre kombinimeve, duhet që Shqipëria të ketë golavarazh më të mirë se skuadra që del e treta në të paktën 2 nga këto 3 grupe.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co