FBI zbarkoi për kontrolle në banesën e këshilltares së lartë të kryebashkiakut të New York-ut, Eric Adams mëngjesin e së enjtes. Lajmi u bë i ditur nga televizioni lokal “News 12”. Sakaq, Byroja Federale e Hetimeve, nuk iu përgjigj pyetjeve në lidhje me bastisjen nga dhjetëra agjentë të shtëpisë së këshilltares Winnie Greco në Bronx. Mësohet se në nëntor, Byroja Federale e Hetimeve i konfiskoi kryetarit të bashkisë pajisjet elektronike dhe bastisi shtëpinë e drejtueses për mbledhjen e fondeve të fushatës së zotit Adams në vitin 2021.
Ndërkohë, nga ana e FBI-së po zhvillohet një hetim penal lidhur me dyshimet se ekipi i fushatës zgjedhore të Adams komplotoi me një kompani ndërtimi në Brooklyn dhe qeverinë turke për të siguruar donacione në rrugë të paligjshme. Greco nuk mund të kontaktohej për koment ndërsa nuk është e qartë nëse ajo ka një avokat. Sipas bashkisë, ajo është me leje që nga e enjtja.
Këshilltarja ka punuar me kryebashkiakun dhe ka kryer veprimtari vullnetare prej shumë vitesh. Ajo ka drejtuar fushatën për mbledhje fondesh në të kaluarën dhe aktualisht shërben si këshilltare e kryebashkiakut për çështje aziatike. “Administrata jonë do ta respektojë gjithmonë ligjin dhe presim që të gjithë punonjësit tanë t’u përmbahen udhëzimeve më të rrepta të etikes”, thuhet në deklaratë. “Siç jemi shprehur edhe më parë, ne nuk komentojmë rreth çështjeve që janë nën shqyrtim, por do të bashkëpunojmë plotësisht me çdo proces në vazhdim”, thuhet në deklaratën e zëdhënësit të kryetarit të bashkisë.
FBI-ja ushtroi kontrolle në dy prona të tjera të enjten, përfshirë një shtëpi të dytë që i përkiste zonjës Greco, njoftoi gazeta New York Times, duke cituar zyrtarë të paidentifikuar.
(BalkanWeb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co