Disa komandantëve dhe ish-komandantëve të ushtrisë australiane u janë hequr medaljet, pas dyshimeve për krime të luftës gjatë luftës në Afganistan, tha të enjten ministri i Mbrojtjes i Australisë, Richard Marles.
Gjeneralmajor Paul Brereton kreu një hetim për krime lufte në të cilin kërkoi që komandantët të mbahen përgjegjës për sjelljen e keqe të forcave speciale të Australisë mes viteve 2005 dhe 2016.
Brereton gjeti se rreth 25 ushtarë të Regjimentit të Forcave Speciale Ajrore të Australisë dhe të Regjimentit Komando u përfshinë në vrasjen e jashtëligjshme të 39 afganëve.
“Akuzat, që janë subjekt i Raportit të Breretonit, janë mbase akuzat më rënda të krimeve australiane të luftës në historinë tonë”, tha Marles në Parlamentin e Australisë.
Marles u shkroi komandantëve të atyre trupave për t’i njoftuar për heqjen e medaljeve që ata i kishin pranuar për shërbimin e tyre gjatë kohëve kur dyshohet se ndodhën ato krime.
Ai nuk tregoi sa komandantëve u ka shkruar, e as nuk e zbuloi gradën e tyre, duke u thirrur në shkaqe sigurie.
Asnjë veteran australian nuk është dënuar për krime të luftës në Afganistan. Por, ish-avokati i ushtrisë, David McBride, u dënua në maj me gati gjashtë vjet burgim për publikimin në media të informatave të klasifikuara të cilat zbuluan dyshimet për krime të luftës nga ushtria australiane.
Më 2023, ish-ushtari i Forcave Speciale Ajrore të Australisë, Oliver Schulz, u bë veterani i parë që u akuzua për krime të luftës. Ai akuzohet se e qëlloi me armë për vdekje një joluftëtar në një fushë gruri në provincën Uruzgan më 2012.
Po më 2023, një gjykatë civile gjeti se veterani më i dekoruar i luftës i Australisë, Ben Roberts-Smith, me gjasë i vrau jashtëligjshëm katër afganë kur ishte tetar i Forcave Speciale. Por, ai nuk është ngarkuar me vepër penale.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co