Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi të hënën se ka ngritur aktakuzë kundër dy serbëve të dyshuar për krime lufte kundër popullsisë civile gjatë luftës në Kosovë më 1998-’99.
Prokuroria i ngarkon të dyshuarit me inicialet M.P dhe Zh.Z me një sërë akuzash si, vrasje, torturë, trajtim çnjerëzor, frikësim, shkatërrim të pasurisë, dëbim masiv dhe spastrim etnik të popullatës civile të nacionalitetit shqiptar në Komunën e Istogut gjatë luftës së fundit në Kosovë.
“Hetimet kanë zbuluar se gjatë periudhës kohore relevante për këtë aktakuzë, pati dy raste të dhunës seksuale ndaj viktimave të nacionalitet shqiptar. Gjithashtu, gjatë hetimeve u vërtetua se gjatë periudhës së luftës, në Komunën e Istogut, rreth 5 mijë shtëpi janë djegur, rreth 250 persona janë vrarë prej tyre 19 viktima fëmijë dhe shumë dëme tjera materiale”, thuhet në njoftim.
Të dyshuarit janë duke u mbajtur në paraburgim në pritje të gjykimit, tha prokuroria.
Dhjetorin e kaluar, Prokuroria Speciale e Kosovës kishte thënë se ka ngritur gjithsej 33 aktakuza, që përfshijnë 89 persona, për krime lufte në Kosovë.
Prej përfundimit të luftës së fundit në Kosovë, rreth 70 persona janë dënuar për krime lufte para institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.
Nga viti 2000 deri në vitin 2008, krimet e luftës në Kosovë janë hetuar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa nga viti 2008, prej Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX).
Në vitin 2018, ky mision i ka dorëzuar lëndët në Prokurorinë e Kosovës dhe në gjykatat vendore.
Gjatë luftës së fundit në Kosovë më 1998-’99 janë vrarë mbi 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur.
Mbi 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur, pjesa më e madhe e tyre shqiptarë./rel
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co