ENTELA BINJAKU
Kjo ishte një pjesë nga thirrjet nëpërmjet të cilave Instituti i Statistikave (INSTAT) iu drejtua qytetarëve për të marrë pjesë në censin e popullsisë dhe banesave të vitit 2023. Pesë ditë para nisjes zyrtare të procesit, në Tiranë u mbajt konferenca hapëse, ku titullarja e INSTAT-it, znj. Elsa Dhuli, ndër të tjera, u shpreh: “Përgatitja e censit bazohet në standarde evropiane, në ligje të përmirësuara vendëse dhe në teknologji bashkëkohore… ndjek rekomandimet e Kombeve të Bashkuara dhe të Komisionit Europian për statistika profesionale”.
Ambasadori Soreka, i ngarkuari me punë i Delegacionit të Bashkimit Evropian në atë kohë në Shqipëri foli për rëndësinë që kishte regjistrimi dhe fuqizimi i sistemit statistikor i Shqipërisë në procesin e negociatave për anëtarësim. Censi nisi më 18 shtator (me përjashtim të Bashkisë së Kukësit, ku filloi më 24 shtator) dhe vazhdoi deri në datën 15 nëntor 2023.
Pas 8 muajsh, më 28 qershor 2024, INSTAT-i zhvilloi konferencën mbyllëse të këtij procesi, duke paraqitur rezultatet paraprake nga të dhënat që kishte grumbulluar mbi arsimin, gjendjen shëndetësore, punësimin, etninë, besimin fetar, gjuhën, elementë të jetës shoqërore etj. Ndër rezultatet befasuese të censit, ishin ato që lidheshin me nëntë pakicat kombëtare të njohura zyrtarisht në Shqipëri për të cilat Kushtetuta parashikon të drejta të plota politike, qytetare dhe shoqërore.
Anëtarësimi i vendit tonë në organizata dhe organizma ndërkombëtarë, ratifikimi, nënshkrimi i një numri të konsiderueshëm aktesh ndërkombëtare që synonin njohjen dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, të bëjnë të mendosh se për pakicat ka një angazhim institucional të lartë. Për shembull, vendi ynë është anëtar gati 30-vjeçar në Këshillin e Europës, që nga viti 1995, vit kur edhe nënshkroi Konventën Kuadër “Për mbrojtjen e pakicave kombëtare”. Madje, në këtë drejtim si një hap me rëndësi për anëtarësimin e vendit në BE, u ngrit edhe Komiteti Shtetëror të Minoriteteve me VKM-në nr. 127 datë 11.03.2004.
Ishte pikërisht me këtë VKM që në RSH nga viti 2004-2017 njiheshin zyrtarisht si pakica kombëtare: pakica greke, maqedonase dhe serbomalazeze, ndërsa pakica arumune de dhe rome si pakica etno-gjuhësore. Ndërkohë me kalimin e viteve angazhimi shtetëror u thellua dhe me Ligjin 96/2017 “Për mbrojtjen e Pakicave Kombëtare në Republikën e Shqipërisë” në Republikën e Shqipërisë njihen si pakica kombëtare ajo: greke, maqedonase, arumune, rome, egjiptiane, malazeze, boshnjake, serbe dhe bullgare. Por edhe pse angazhimi shtetëror duket i lartë, kuadri ligjor ndër vite u përmirësua, duke parë tabelën e popullsisë banuese sipas përkatësisë etnike dhe gjinisë, nga CENSUS-i doli se: janë vetëdeklaruar si pjesëtarë të nëntë pakicave kombëtare 61528 qytetarë, për 134 451 të anketuar nuk ka të dhëna, se 13 507 të tjerë parapëlqyen të mos përgjigjen, 770 kanë thënë se i përkasin një identiteti etnikokulturor të përzier, 1142 thanë së nuk bëjnë pjesë në asnjë grup, ndërsa 3798 nga të anketuarit kishin një identitet etnik tjetër.
Pra, nëse 9 pakicat përbëjnë 2.56 % të popullatës sonë, për 5.83% situata është si më sipër. Nga të dhënat paraprake u mësua se në vitin 2023 në RSH jetonin 2, 402, 113 banorë, tri pakicat më të mëdha në vend janë ajo greke, egjiptiane dhe rome, pakica bullgare ishte me e madhe me 540 qytetarë se pakicat boshnjake, arumune, serbe dhe malazeze të mbledhura së bashku, arumunët ishin vetëm 178 individë më shumë se maqedonët, të cilët ishin më pak se boshnjakët dhe se në vend në 2023-shin jetojnë më shumë serbë sesa malazezë.
Ndër pakicat që njohu një rënie dramatike midis dy regjistrimeve 2011- 2023 ishte pakica arumune e vendit e cila jeton kryesisht në: Korçë, Tiranë, Durrës, Kavajë, Elbasan, Divjakë, Lushnje, Berat, Fier, Përmet, Pogradec, Gjirokastër etj., ku në disa nga Bashkitë si për shembull ajo e Selenicës, e Patosit etj., njihet prania e saj e rëndësishme, në një qark si për shembull i Vlorës fshatrat: Armen, Mekat, Bunavi, Bestrovë, Cerkovinë, Skrofotinë, Zvërnec, Beshisht Trevllazër etj., kjo pakicë është e dukshme etj., bashkëjeton në një rajon ndërkufitar si Korça ku janë të pranishme edhe pakica bullgare, greke, maqedonase, rome dhe egjiptiane. Sipas censit arumunë u vetëdeklaruan 1 314, burra dhe 1 145 gra duke shënuar një rënie prej 5807 persona nga regjistrimi i 12 viteve më parë. 2459 arumunë ishin në Shqipërinë e 2023-shit, kur vetëm në Korçë më 2011 ishin deklaruar të tillë 2677 qytetarë, ose sot në gjithë Shqipërinë rezultuan aq arumunë, saç ishin në Tiranë, Vlorë dhe Gjirokastër më 2011 pa përmendur fare sa të tillë u regjistruan në qytetet e tjera.
Kjo ishte hera e parë që arumunët do të regjistroheshin si Pakicë Kombëtare ndaj dhe vëmendja ndaj këtij procesit duhej të ishte e madhe. Po çfarë mund të ketë ndikuar në rënien kaq të madhe midis dy regjistrimeve të fundit? A ishin shkaqe që prekën vetëm këtë pakicë? A ishte emigrimi, hezitimi për vetëdeklarim, mungesa e informimit mbi rëndësinë e vetëdeklarimit, ngurrimi se vetëdeklarimi në këtë përkatësi hiqte “të mirat” e fituara nga jeta si mërgimtarë, droja e dikurshme për të mos u dukur i vogël apo i nënçmuar, apo ishte njëtrajtësia me shumicën, apo ishin ndoshta anketuesit që nuk i drejtonin fare pyetjet mbi etninë, që nuk trokitën asnjëherë në 8 javë nëpër dyer, mos ishin vetë pjesëtarët e komunitetit që nuk vlerësuan përkatësinë etnike të të parëve, apo ishin OSHC-të arumune që nuk kontribuuan në ndërgjegjësimin ndaj përkatësisë? Mos ishte shteti që edhe pse ka ngritur një institucion me Kushtetutë për mbrojtjen e pakicave i ka lënë pa mbështetje, në kufirin e buxhetit të lëmoshës, duke i nënçmuar rëndësinë dhe pasurinë që i japin kombit shqiptar? Kur të gjitha këto pyetje presin përgjigje ose i lënë të nënkuptohen disa, ajo që dihet është se kur të vijë regjistrimi i radhës, statisticienët, politikëbërësit, studiuesit, demografët, do të raportojnë se në statistikat zyrtare të shtetit shqiptar, më 2023-shin arumunët rezultuan 2459, më 2011 ata kishin qenë 8266 qytetarë, në 2003 Atllasi Demografik të Shqipërisë thoshte se numri i arumunëve në Shqipëri ishte 139.065, në statitistikat e Shqipërisë komuniste më 1989 numëroheshin 782 arumunë, ndërsa para 112 vjetësh luftëtari i Pavarësisë Dervish Hima thoshte se në Shqipëri arumunët numërojnë 200.000 veta.. Këtyre do t’u shtohen mijëra të diplomuar në Rumani, pas rënies së komunizmit, kur çdo vit rreth 100 të rinj e të reja, kryesisht nga familjet arumune apo dhe nga martesat e përziera, ju drejtuan për arsimim institucioneve rumune. Në 8 minuta të pjesëmarrjes në CENSUS-in 2023 kështu u vlerësua e ardhmja për pakicat kombëtare, trashëgimia e tyre e pasur kulturore që gjithmonë i ka dhënë Shqipërisë larmi në bashkëjetesën harmonike dhe tolerante me popullin shqiptar.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co