Presidenti i UEFA-s, Aleksander Çeferin, ka kërcënuar në mënyrë direkte Ministrin për Sportin të Italisë, Andrea Abodi, se do të përjashtojë skuadrat italiane nga kompeticionet ndërkombëtare. Ngjarja ka ndodhur pas një takimi që këta dy kishin në Berlin, në ditën kur Italia u mund 2-0 nga Zvicra dhe i dha lamtumirën Euro 2024.
“La Repubblica” ka zbuluar prapaskenat e këtij kërcënimi të Çeferin, i cili ka mësuar se në komisionet ligjore të parlamentit italian, po diskutohej një amendim i ligjit për sportet në Itali. Ai do u jepte të drejtë klubeve të Serisë A që të ishin të pavarura plotësisht nga Federata dhe që të anashkalonin etapat duke iu drejtuar gjykatës administrative të Lacios për çështjet e drejtësisë sportive.
Në këtë mënyrë, ata do të menaxhonin vetë çdo situatë, duke bërë Federatën të pavlefshme. Për këtë arsye, Çeferin raportohet se ka qenë i qartë në fjalët e tij ndaj ministrit italian. “Nëse teksti i ligjit mbetet kështu, do të duhet të përjashtojmë skuadrat italiane nga Kupat e Europës. Rrezikoni procedurën e shkeljes së statutit”, ishin fjalët e tij. Përgjigja e Abodit ka qenë e rrufeshme. “Nuk ekziston më”. një frazë me të cilën ai shpjegonte që ajo pjesë e ligjit nuk ishte më në diskutim në parlamentin italian.
Në fakt, ligji në fjalë është ende në shqyrtim në komisionet parlamentare italiane, por mediat në vend shpjegojnë se qeveria do ta riformulojë atë në mënyrë që të mos jetë në shkelje të udhëzimeve të UEFA-s. Në fakt, klubet e Serisë A kishin kërkuar më tepër autonomi publikisht, por askush nuk e mendonte që ligjvënësit italianë do të ndërtonin një ligj që do u krijonte më shumë dëme dhe rrezikon tashmë t’i nxjerrë jashtë Europës.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co