“Bixhoz i rrezikshëm” – kështu e përshkruan shumë media perëndimore vendimin e presidentit të Francës, Emmanuel Macron, për të shpallur zgjedhjet e parakohshme legjislative.
Sipas një shkrimi në New York Times, Macron i dha të djathtës ekstreme shansin më të mirë për të qeverisur me Francën për herë të parë që nga ‘regjimi Vichy’ i Luftës së Dytë Botërore.
“Për ata që kanë më shumë për të humbur nga e djathta ekstreme në pushtet – para së gjithash imigrantët dhe pasardhësit e imigrantëve të fundit lajmi është i tmerrshëm. Macron, me siguri, shpreson se ky veprim është në dobi të tij. Por, mos gaboni: Franca është në rrezik”, shkroi New York Times.
Macron i shpalli zgjedhjet pasi koalicioni i udhëhequr prej partisë së tij të qendrës, Rilindja, pësoi humbje dërrmuese nga partia e ekstremit të djathtë, Tubimi Kombëtar, në zgjedhjet për Parlamentin Evropian, këtë muaj.
Ai shfaqi besimin se populli francez do ta bëjë “zgjedhjen më të drejtë”.
“Rritja e nacionalistëve dhe e demagogëve është rrezik për kombin tonë, por edhe për Evropën tonë dhe për vendin e Francës në Evropë dhe në botë”, tha Macron.
Rrethi i parë i zgjedhjeve do të zhvillohet më 30 qershor, i dyti më 7 korrik.
Sondazhet e opinionit, përfshirë një të publikuar në ueb-faqen Le Point, e nxjerrin Tubimin Kombëtar të Marine Le Penit në epërsi, me afro 30 për qind të votave, në rrethin e parë.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co