Dom Shtjefën Kurti është një prej 100 viktimave më të njohura të komunizmit ndërkombëtarë, që u ekzekutua në 29 shtator 1971.
Ndër 38 Klerikët që u Lumnuan në 5 nëntor 2016, si Martir Meshtar Katolik është dhe Dom Shtjefën Kurti! E akuzuan, e burgosën, i morën jetën një kleriku të karrierës, kreun e Kishës Katolike Shqiptare, Dekan i Dekanatit të Tiranës, i cili ka kryer një sërë veprash madhore patriotike në shërbim të popullit e kombit të tij. I arsimuar në universitetet më prestigjioze të Europës, ish- personalitet e i njohur nga diplomatë europianë të karrierës, Shtjefën Kurti ka lindur në Prizren në 24 dhjetor 1898 në një familje fisnike, patriote, e të pasur, vitet e para të jetës i kaloi në këtë qytet e më vonë familja u vendos në Ferizaj. Shtjefën Kurti studioi në Seminarin e Shkodrës dhe në vitin 1918 filloi studimet për Filozofi e Teologji në Kolegjin Canisianum, Innsbruck, Austri.
Studenti ekselent me njohuri të thella, Shtjefën Kurti shkoi për të vazhduar studimet dhe i përfundoi në Kolegjin dhe Universitetin prestigjioz “Propaganda Fide” në Romë, Itali. Dom Shtjefën Kurti pas përfundimit të studimeve dhe shugurimit Meshtar në Romë ku mbajti meshën e parë, propozohet të punojë në Vatikan, por kthehet në Kosovë sepse dëshironte t’i shërbente me devotshmëri popullit të tij dhe fillon shërbimin shpirtëror ndaj besimtarëve, në Ferizaj, Shkup, Prizren dhe Novosellë. Numri gjithnjë e në rritje i figurave shqiptare në Kosovë, për ndjenjat dhe veprimtarinë e tyre patriotike, për kundërshtimin ndaj shkombëtarizimit, kërcënoheshin nga serbët dhe eliminoheshin fizikisht.
Prandaj tre meshtarët katolikë shqiptarë kosovarë, Dom Shtjefën Kurti, Dom Luigj Gashi dhe Dom Gjon Bisaku, në janar 1930 u larguan nga Kosova dhe erdhën në Shqipëri. Në 5 maj 1930 në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë, (Sot OKB), i dorëzuan Sir Eric James Drummond, Sekretari i Parë i Përgjithshëm (1919-1933), Promemorien e shkruar fillimisht në frëngjisht, të cilën e kishin përgatitur më parë në Kosovë. “Sigurisht që nuk do të jemi të fundit që do të protestojmë pranë këtij institucioni të Lartë të së Drejtës Ndërkombëtare”. Me fakte e dëshmi i treguan botës se çështja shqiptare nuk ishte një çështje fetare, por kombëtare, pasi qeveria serbe po përdorte metodat më brutale të vrasjeve dhe terrorit për të ndryshuar balancat etnike në trojet shqiptare nën Serbi. Denoncuan dhunën e terrorin e serbëve ndaj shqiptarëve të Kosovës, mbi këto tema; mbrojtja e jetës, e lirisë, e të drejtës së pronës, e përdorimit të gjuhës shqipe, e shkollimit dhe e fesë për të gjithë shqiptarët e Kosovës.
Detyra e Meshtarit e Dekan i Dekanatit të Tiranës i dhanë Dom Shtjefën Kurtit mundësinë të kontaktonte me shume personalitete të vendit e të huaj, si në kohën e luftës edhe pas çlirimit, me ambasadorët anglez, amerikan, etj. Por e akuzuan si agjent të perëndimit dhe e arrestojnë në 28 tetor 1946 në Tiranë. Gjatë hetuesisë u torturua mizorisht për shumë muaj dhe në procesin e gjykimit në 1947 u dënua me vdekje, por dënimi u ndryshua në 20 vjet burg. Për arsye të një amnistie lirohet nga burgu i Burrelit në 2 maj 1963 e kjo liri gëzoi të gjithë familjarët e tij në Tiranë, Kosovë e Shkup. Për disa vite liri, gjithmonë nën vëzhgim të rreptë, të vazhdueshëm, përsëri e akuzuan si armik e mjaft të rrezikshëm për regjimin, për spiunazh, sabotazh, kryerjen në fshehtësi të riteve fetare dhe arrestohet në Gurrëz, në qershor 1970. Dom Shtjefën Kurti qëndroi dinjitoz, nuk u frikësua para vuajtjeve, as para vdekjes dhe pas një viti akuzash e torturash çnjerëzore u dënua me vdekje, pushkatim.
Ai nuk kërkoi amnisti, por me krenari pohoi, “e kam kryer detyrën time meshtare, jam fatlum që po vdes martir”. Dënimi u ekzekutua në 29 Shtator 1971, por me gjithë përpjekjet shumë vjeçare për gjetjen e vendit ku prehen eshtrat në një varr masiv. Ekzekutimi i Dom Shtjefën Kurtit u mbajt shumë sekret nga qeveria, por lajmi tronditi opinionin botëror, kur shtypi më autoritar europian zbuloi vrasjen e tij, protestat u përhapën në qytetet kryesore të Europës e në Sh.B.A. Më 28 mars 1973, agjencia austriake “Kathpress” publikoi lajmin se Dom Shtjefën Kurti ishte pushkatuar, po këtë publikim bënë dhe gazeta “Il Tempo”, The People”, “Corrire della Sera”, Il Messaggero”, “The Neë York Times” (28 mars 1973 dhe 26 shkurt 2017), “New York Post”, “The Daily News”, “To Vima”, agjencia franceze e lajmeve AFP, agjencia gjermane DPA, “Reuters” britanike, TV Italiane etj. Lajmi i vrasjes së tij e vuri regjimin në një pozicion mjaft të vështirë përballë vendeve perëndimore, por pas një periudhe heshtje qeveria, mediat reaguan. Gazetat shkruanin se “dënimi i tij ishte i merituar” si bashkëpunëtor me agjenturat amerikane e angleze që kishin projektuar rrëzimin e regjimit komunist. Dom Shtjefën Kurti si klerik atdhetar vokacionin e tij e kreu me përkushtim të pashembullt, në momente të vështira, në kohën kur kërkoheshin sakrifica e martirizim. Historia e Kishës Katolike e këtij Institucioni në Shqipëri është histori ngadhënjimi, martirizimi, histori besimi edhe patriotizmi, histori fetare, kulturore, histori shqiptare po edhe europiane e universale. Dom Shtjefën Kurti u fajësua për pagëzimin që u dha fëmijëve. U dënua me vdekje dhe u pushkatua në një vend që ende nuk dihet edhe sot.
VUAJTJET
Dom Shtjefën Kurti u lumnua si pjesë e 40 martirëve shqiptarë dhe u pranua shenjtor i kishës katolike më 5 nëntor 2016, në sheshin para katedrales së Shën Shtjefnit në Shkodër. I Lumi Shtjefën Kurti, kishte nj? lidhje t? devotshme e plot pasion me Kishën e me Papën, për çka edhe u dënua e u vra nga regjimi komunist, për dashurinë për popullin e vet e për besnikërinë ndaj Krishtit e Kishës siç, gati-gati, e “pohon” vetë prokurori H. Fuga, kur në fjalën e tij thotë: “I pandehuri Shtjefën Kurti, klerik reaksionar, përfaqësues i ideologjisë fetare… e ka humbur edhe shpresën më të vogël për t’u ndrequr, ka kërkuar të vdesë si përfaqësues i ideologjisë së tij reaksionare”. Një tjetër aspekt i dom Shtjefnit ishte lidhja e tij e devotshme dhe plot pasion me Kishën dhe me Papën, për besnikërinë ndaj të cilëve, praktikisht, edhe u dënua e u vra.
Kjo gjë dëshmohet nga vetë letra që ai i dërgon Papës, në mes të stuhisë komuniste. Dom Shtjefni nuk i kurseu energjitë e veta për t’u kujdesur për besimtarët e vet si një bari i mirë: për të rinjtë, për fëmijët, për të sëmurët. Por regjimi komunist nuk mund të falte një meshtar kaq të rëndësishëm, që binte kaq në sy dhe ishte ndikues, pikërisht në Tiranë. Ai duhej mbajtur si armik i deklaruar i “pushtetit popullor”. E tronditjen e parë ia dhanë kur në Krishtlindjen e vitit 1944 ia ndërprenë energjinë elektrike për Meshën e mesnatës. Ja si ia pasqyron gjendjen kardinalit Sekretar të Shtetit gjashtë muaj pas vendosjes së regjimit komunist:
“Gjendja fetare në Shqipëri, dhe, për sa na përket neve në veçanti, në Tiranë, nga dita në ditë bëhet më e errët… Na quajnë armiq të popullit… Me fjalë Qeveria është demokratike, por mjafton që dikush t’i kundërshtojë dhe menjëherë akuzohet si reaksionar, i prapambetur, kundër popullit, dhe… vihet në shënjestër. Shumë pushkatime katolikësh (madje edhe të një prifti) [Dom Lazër Shantoja pushkatuar në mars 1945]”. Megjithatë dom Shtjefni i palodhur vraponte nga njëra anë në tjetrën duke përballuar çdo lloj keqtrajtimi poshtërues. Më 16 shtator 1946 i shkruan Papës Piu XII: “Jetojmë në një epokë vërtet përndjekjesh të dhunshme. Janë mbyllur seminaret, …duke ndjekur udhëzimet shtypëse të sugjeruara prej rusëve bolshevikë, të rënduara prej urrejtjes satanike të udhëheqësve tanë… Kleri qan vdekjen e dhunshme, pas torturave të përsëritura e të patregueshme, të nëntë meshtarëve, ndërsa vazhdojnë të vuajnë në burgje mizore nëntëmbëdhjetë të tjerë… Kushdo na del në mbrojtje, pas një kohe të shkurtër, vetëm për këtë fakt, futet në burg. Nuk ka asnjë liri: as fjale, as mendimi, as shtypi”. Në këtë stuhi terrori arrin edhe ora e furtunës për dom Shtjefnin, të dielën e Krishtit Mbret më 27 tetor 1946.
Me urdhër të Sigurimit, nga operativi Stavi Xhara, arrestohet së bashku me atë Pjetër Meshkallën me një sërë akuzash të sajuara. Trembëdhjetë ditë pas arrestimit iu mbajt në Tiranë procesi gjyqësor. Gjatë marrjeve në pyetje dhe torturave të tmerrshme, që e bënë copë, reagoi me një ndjenjë të thellë përgjegjësie e dinjiteti. Po ecte po në atë rrugë të dhimbshme që kishte bërë edhe Jezusi Shpëtimtar, dhe kjo i mjaftonte për t’i dhënë siguri. Prokurori ushtarak Petrit Hakani kërkoi dënimin e dom Shtjefnit me 18 vjet burg e punë të detyruar. E që të nesërmen, më 17 prill 1947, vendimi nuk vonoi: u dënua me 20 vjet burg. U dërgua në burgun e tmerrshëm të Burrelit. Kur kujtonte vitet e llahtarshme të kaluara në atë burg, një herë tregoi: “Në burgun e Burrelit shumë herë buka dhe mishi përziheshin me baltë, ndërsa supa e orizit me krimba. Unë isha krenar që jetoja në ato kushte të këqija. Krishti më dha forcë që t’i përballoja ato vështirësi”. Pas 17 viteve burg, në saje të një amnistie, lirohet më 2 maj 1963. Kishte hyrë në burg 48 vjeç dhe doli prej aty 65 vjeç. Kur u lirua, fizikisht i plakur, por me shpirt gjithmonë bujar e entuziast, u tërhoq në Gurëz. Por edhe pse i “lirë”, martirizimi i tij vazhdonte pareshtur! Pas një viti iu desh të largohej nga banesa e të vëllait, sepse ky i fundit mbahej në vëzhgim.
Dëshmitarë tregojnë se edhe i vëllai kishte frikë se mund ta konsideronin bashkëpunëtor dhe, kur e takonte rrugës, kthente kokën nga ana tjetër. E kjo nuk qe një vuajtje e lehtë për dom Shtjefnin. Ordinari i Selisë vakante të Durrësit e emëroi famullitar në Jubë. Por atë të diel që shkoi atje për të marrë në dorëzim famullinë, populli, edhe pse i njoftuar, nuk u paraqit në Kishë, sigurisht edhe nga frika e represionit shtetëror. Pas dy orë pritjeje, ai dhe dom Palë Gjini u detyruan të largohen. Por më e keqja ndodhi pak më vonë, kur më 1967 Shqipëria u shpall ateiste. Dom Shtjefni u bë një qytetar i zakonshëm që i duhej të punonte në kooperativë, ku paga me zor i dilte të blinte pak bukë thatë e asgjë më tepër. Por në zemër nuk ishte shuar shpresa e tij. Siç i pati thënë Luigj Vatës, “Kisha do të hapet dhe biles feja e Krishtit do të triumfojë më shumë e më mirë”. Por edhe pse në moshë e i lodhur, regjimi sadist nuk është i kënaqur e më 11 qershor 1970 do ta arrestojë përsëri duke e nxjerrë në gjyq para popullit të Gurëzit, pikërisht tek ajo kishë që ai kishte ndërtuar. Gjatë gjyqit ai vetë nuk akuzon askënd, madje as ata që më parë i ka pasur miq dhe tani e akuzojnë, sigurisht, për të shpëtuar… të paktën kokën.
Më 31 korrik 1971 do të dënohet me vdekje me pushkatim, për dashurinë për popullin e vet e për besnikërinë ndaj Krishtit e Kishës siç, gati-gati, e “pohon” vetë prokurori Hajredin Fuga, kur në fjalën e tij thotë: “I pandehuri Shtjefën Kurti, klerik reaksionar, përfaqësues i ideologjisë fetare… e ka humbur edhe shpresën më të vogël për t’u ndrequr, ka kërkuar të vdesë si përfaqësues i ideologjisë së tij reaksionare”. Vendimi, i aprovuar nga Gjykata e Lartë, do të zbatohet më 20 tetor 1971, sipas disave, afër lumit të Tiranës, por pa e ditur se ku. Duke qenë se një nga arsyet e arrestimit dhe të dënimit, edhe pse e pa thënë publikisht në gjyq, qe një pagëzim që ai bëri fshehtas, lajmi i pushkatimit mori dhenë e shumë gazeta nëpër botë shkruan në lidhje me dom Shtjefnin, duke e konsideruar një martir të vërtetë të Krishtit. Lumi i përpiu eshtrat, por nuk arriti të zhdukte kujtimin e heroizmit të tij./Gazeta Panorama
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co