E nis këtë sezon për herë të parë si kampion, Inzagi: Shumë presion, Interi e mbron “yllin”

e nis kete sezon per here te pare si kampion inzagi shume presion interi e mbron yllin





































Shumë përgjegjësi dhe motivim për të mbrojtur titullin kampion të një sezoni më parë. Por Simone Inzagi e di shumë mirë që nuk do të jetë e lehtë sepse edhe të tjerat janë forcuar. Në prag të duelit me Xhenoan, numri një i kampionëve të Italisë kërkon që të bëjë nisjen më të mirë të mundshme.

Simone Inzagi duke festuar me stafin dhe lojtarët

Çfarë duhet të bëjë Interi për të pasur qasjen e duhur në këtë ndeshje?

Rifillon një sezon i ri. Do të kemi një debutim jo të lehtë në një fushë të vështirë, që në vitet e fundit na ka hapur probleme. Do të kemi përballë një skuadër të fortë dhe me një trajner të zotin. Ambienti do të jetë i nxehtë dhe duhet të jemi të përgatitur për t’u paraqitur sa më mirë.

Finalja e Champions-it ju karikoi për sezonin e kaluar. Por si ishte të jetoje një verë si kampion i Italisë?

Ishte një kënaqësi shumë e madhe, por tani duhet ta lëmë pas krahëve. Kemi përgjegjësi të madhe për të mbrojtur titullin. Jemi gati, por e dimë që në kampionatet e fundit, kampionët në fuqi kanë pasur vështirësi. Faza përgatitore ka qenë e mirë, pavarësisht faktit që disa lojtarë kanë ardhur me vonesë. Djemtë janë në formë dhe po stërviten me buzëqeshje. I kam parë të karikuar dhe me besim. Duhet ta nisim aty ku e kemi përfunduar.

Dua t’ju pyes, çfarë mendimi keni për organikën dhe nëse do ta pranoni rolin si skuadra favorite ashtu si vitin e kaluar?

Ne e dimë. E fitojmë apo jo titullin, gjithmonë konsiderohemi favoritë. Nuk më pëlqen të fshihem pas gishtit. Të gjithë ne trajnerët duam të fitojmë sa më shumë ndeshje dhe tituj. Sa i përket merkatos kemi pasur disa afrime dhe rikthime. Shumë skuadra të tjera kanë investuar. Ne kemi ruajtur boshtin dhe kemi afruar të tjerë lojtarë cilësorë. Duhet të sistemojmë diçka në lidhje me krahun e majtë duke qenë se na mungon Bjukenën. Edhe sot (dje) ishim në takim me presidentin dhe drejtuesit. Jam me fat që kam drejtues të tillë dhe e dinë që na duhet një lojtar për të na ndihmuar në rrotacionin e ekipit.

Çfarë Lautaro do të presim kundër Xhenoas?

Sa i përket formacionit jam ende duke bërë vlerësimet e mia. Lautaro ka qenë shumë mirë që nga momenti kur erdhi. Është në formë dhe do të vendos përpara ndeshjes nëse do ta hedh në fushë si titullar. Është i karikuar si gjithmonë. U rikthye më përpara për të dhënë një sinjal të qartë se sa e do këtë skuadër.

Cili është objektivi këtë sezon?

Duam që të përsërisim sezonin e kaluar. Objektivi është që të përmirësohemi akoma më shumë. Djemtë kanë qenë perfektë, por ka ende vend për përmirësim.

Mendoni se diferencat me skuadrat e tjera do të jenë më të pakta këtë sezon?

Personalisht kam shumë emocion për këtë debutim. Jam shumë krenar që nis sezonin e katërt me skuadrën e Interit. E dimë tashmë se çfarë kemi bërë dhe duhet të punojmë për të ardhmen. Drejtuesit kanë bërë një punë të shkëlqyer edhe pse kanë qenë disi të limituar. Duhet të jemi kompetitivë si në Europë ashtu edhe në Itali. Ka shumë skuadra që do të luftojnë për titullin. Është një kampionat i ekuilibruar në krahasim me atë që lamë pas. Të gjitha ekipet janë forcuar, edhe ato të mesit të tabelës.

Çfarë ndryshon në këtë sezon, duke qenë se ka shumë ndeshje edhe në Champions dhe në Botërorin e klubeve?

Dëshira është që ta nisim mirë, pastaj përgjigjet do t’i japë fusha e lojës. Përgatitjet ishin shumë të mira, me ndonjë shqetësim të vogël për lojtarët. Zielinski do të jetë gati për Leçen. Edhe De Vraj do të mungojë. Këtë vit ndryshon Champions-i dhe do të kemi 2 ndeshje më shumë. Duke ditur që kemi edhe Botërorin, të qëndrojmë të karikuar deri në fundin e sezonit.

Do të preferonit më mirë një titull të dytë radhazi, apo të riktheheshit edhe një herë tjetër në finalen e Champions-it, me shpresën për ta fituar?

Po provoj të jap një përgjigje, por nuk di çfarë të them. Kam përjetuar emocione të mëdha në të dyja kompeticionet duke nisur që nga mbrëmja e Stambollit deri te kampionati i fituar në atë mënyrë. Meritat shkojnë edhe për tifozët tanë që janë të shkëlqyer. Jam krenar për atë që kam bërë, por nuk mund të përgjigjem dot.

Po në sulm, a jeni në rregull?

Për momentin unë dhe klubi mendojmë që të qëndrojmë me 5 sulmuesit që kemi në dispozicion. E dimë që merkatoja është në zhvillim e sipër, por ndihemi të mbuluar mirë me futbollistët që kemi. Vetëm një mbrojtës dhe skuadra është gati.

A mund të luajë Bisek nga minuta e parë?

Është duke punuar mirë dhe ka qenë i rëndësishëm që në sezonin e kaluar. Ka luajtur shumë ndeshje dhe i ka fituar minutat në fushën e lojës. Ka bërë fazë përgatitore të mirë ashtu si gjithë të tjerët. Mudn të zgjedh mes tij dhe Pavarit, por është një dyshim që do ta mbaj për vete deri në fund.

Përgatiti: GENTJAN ALINANI – PANORAMASPORT/AL

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co

dsaadmin

Learn More →