Etrit Berisha mund t’i japë lamtumirën futbollit italian pas më shumë se një dekade të kaluar atje. Portieri i Kombëtares nuk ka hedhur poshtë mundësinë për t’u larguar nga Italia ku u transferua për herë të parë në vitin 2013, teksa po mendon seriozisht kthimin në Suedi ku nisi karrierën si profesionist me Kalmar.
“Do ta vendos pas Kampionatit Europian”, tha ai në një intervistë për suedezen “Fotbollskanalen”. Kontrat e portierit me Empolin mbyllet në verë, me opsion zgjatjen e saj për një tjetër vit, por vështirë se Berisha do të qëndrojë në këtë klub, ku nuk i sigurohet vendi i titullarit.
“Unë do të vendos pas Europiani. Kam një bebe të vogël në Stokholm dhe gruaja ime udhëton vajtje-ardhje mes Italisë dhe Suedisë. Ta shohim”, tha Berisha i cili pranoi se ishte ende në kontakte me drejtuesit e klubit të Kalmar të cilët edhe e kishin ftuar t’u bashkohej atyre përsëri në verën e kaluar.
“Drejtori sportiv më pyeti për këtë dhe folëm pak rreth gjërave. Ishte diçka spontane dhe nuk doli gjë në fund. Unë e ndjek Kalmarin dhe për fat të keq nuk e kanë nisur mirë kampionatin. Por do të vijnë kohë më të mira dhe ndeshje në të cilat të sigurojnë pikë. Ata duhet të mendojnë në mënyrë më pozitive. Unë do të dëshiroja që të ndihmoja Kalmarin për situatën në të cilën gjendet. Por nuk e di, kam ende një kontratë me Empolin dhe do të pres deri pas përfundimit të Europianit”, ishin fjalët e portierit të Shqipërisë.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co