Pep Guardiola thotë se po kërkon lojtarët e tij që t’u rikthehen fantazisë që e ndihmoi Erling Halandin të bëhej sulmuesi më pjellor i futbollit anglez.Norvegjezi, i cili ka fituar “Këpucën e Artë” në të dy sezonet në Angli deri më tani, e filloi sezonin e tij të tretë në “Etihad” në një formë të shkëlqyer. Me një seri golash që përfshiu tregolëshin kundër Ipsuiçit dhe Uest Hemit, ai u bë lojtari i parë që shënon 10 gola në Premier Ligë në pesë ndeshjet e para të sezonit. Megjithatë, ecuria e fundit e vështirë e kampionëve në fuqi e ka parë Halandin që ka shënojë dy herë në tetë paraqitjet e tij të fundit në kampionat.
Duke folur në konferencën e tij për shtyp në prag të Krishtlindjes, Guardiola hodhi poshtë sugjerimin se Haland duhet të përmirësohet dhe në vend të kësaj zgjodhi të fokusohet në mënyrën se si skuadra ndërton dhe krijon shanse për numrin 9. “Ka të bëjë me ne, jo vetëm me një lojtar”, tha ai kur u pyet për Halandin.
“Në të kaluarën, kur ne shënonim gola dhe Erling ishte shumë produktiv dhe na ndihmonte, kjo ishte për shkak të ekipit. Por kur ke probleme në pjesën e mbrojtjes dhe mesfushë, gjithçka ka të bëjë me ekipin jo vetëm një lojtar. Nëse është vetëm një lojtar, do të ishte e lehtë të kuptohej arsyeja pse. Nuk bëhet fjalë për këtë. Erling është kaq i rëndësishëm për ne, do të jetë i rëndësishëm për ne dhe ne duhet ta përdorim atë më mirë”.
Mançester Siti ka fituar vetëm një nga 12 ndeshjet e fundit në të gjitha kompeticionet. Dhe përpara ndeshjes së “Boxing Day” kundër Evertonit, Guardiola ishte gjithashtu i prirur të nënvizonte se lojtarët e tij po japin gjithçka pavarësisht rezultateve të fundit. “Kjo situatë është e re për të gjithë ne. Bëhet fjalë për ne, të gjithë. Djemtë vrapojnë dhe bëjnë përpjekje më shumë se kurrë”, tha katalanasi. “Njerëzit thonë se ne nuk po vrapojmë, nuk po luftojmë, është ky lojtar, ky trajner. Por nuk ka të bëjë me këtë. Bëhet fjalë për shumë detaje të vogla ose disa detaje të mëdha që na bëjnë të mos jemi aq të mirë sa ishim. Por ne kemi një mundësi tjetër në ‘Boxing Day’. Ne kemi lojtarë që kthehen dhe në një moment të caktuar do të jemi më të mirë”.
EVERTONI – Guardiola ka lavdëruar aftësitë e forta mbrojtëse të Evertonit nën drejtimin e Shon Dajçit. Siti mirëpret “Toffees” në “Etihad” të enjten ndërkohë që skuadra e Mersejsajdit ka marrë dy barazime 0-0 me Arsenalin dhe pastaj me Çelsin në secilën nga dy daljet e fundit në Premier Ligë. Kjo do të thotë që Evertoni është në krye të klasifikimit sa i përket numrit të ndeshjeve pa pësuar, së bashku me Liverpulin: “Ekipet e Shon Dajçit kanë gjithmonë një strukturë shumë të mirë mbrojtëse, modele vërtet të mira në mbrojtje dhe në sulm. Nëse ata mund ta bëjnë atë kundër Arsenalit dhe Çelsit, do të thotë se ata janë vërtet të mirë. Ata kanë tranzicion të mirë dhe sigurisht goditjet standarde dhe topat e gjatë. Ata janë vërtet të fortë. Ata janë ndoshta të pestët në pesë ligat më të mira në Evropë, ata janë një nga më të mirët për sa i përket ndeshjeve pa pësuar. Do të thotë se ata punojnë vërtet mirë”.
ANDROKLI DRALO-PANORAMASPORT.AL