VOLTIZA DURO/ Efektivët e policisë do të punojnë 4 orë më shumë nga orari zyrtar përgjatë sezonit të verës e kjo do të vijojë deri në 15 shtator.
Ditën e djeshme qeveria ka miratuar vendimin ku thuhet se aktivizimi i punonjësve të policisë në punë apo shërbim me zgjatje të kohës normale të punës, me katër orë për çdo turn, bëhet me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe realizohet gjatë sezonit turistik veror, për periudhën nga data 16 qershor deri në datën 15 shtator.
Zgjatja e kohës normale të shërbimit me katër orë, do të kompensohet me pagë dhe pagesa kryhet bashkë me pagën mujore të muajit kur është kryer shërbimi.
VENDIMI I QEVERISË
“VENDIM PËR DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.101, DATË 15.2.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KOHËN E PUNËS DHE TË PUSHIMIT NË POLICINË E SHTETIT”. Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 63, të ligjit nr.108/2014, “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, dhe të neneve 76-108, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave V E N D O S I: Në kreun I, të vendimit nr.101, datë 15.2.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për kohën e punës dhe pushimit në Policinë e Shtetit”, bëhen këto shtesa: a) Pas pikës 12 shtohen pikat 12/1 e 12/2, me këtë përmbajtje:
“12/1. Aktivizimi i punonjësve të policisë në punë/ shërbim me zgjatje të kohës normale të punës/shërbimit, 4 (katër) orë për çdo turn/ shërbim, bëhet me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe realizohet gjatë sezonit turistik veror, për periudhën nga data 16 qershor deri në datën 15 shtator”,,-thuhet në vendim. Në këtë të fundit bëhet me dije se zgjatja e kohës normale të shërbimit me katër orë, do të kompensohet me pagë dhe pagesa kryhet bashkë me pagën mujore të muajit kur është kryer shërbimi. “Zgjatja e kohës normale të punës/shërbimit, 4 (katër) orë për çdo turn/ shërbim, gjatë sezonit turistik veror, për periudhën nga data 16 qershor deri në datën 15 shtator, kompensohet me pagë dhe pagesa kryhet bashkë me pagën mujore të muajit kur është kryer shërbimi.”.
b) Në pikën 13, pas fjalëve “… mbi kohën normale të punës …” shtohen “… dhe zgjatjes së kohës normale të punës/shërbimit …”.
Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga buxheti i shtetit për programin buxhetor “Policia e Shtetit”. Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”,-thuhet në vendimin e miratuar nga Këshilli I Ministrave ditën e djeshme.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co