Bota Sport

EKSKLUZIVE/ “Brdariç euforik dhe jo profesionist”, ish-kapiteni Premçi nuk përmbahet: Eliminim i turpshëm, kjo Vllazni nuk është për titull apo Kupë

ekskluzive brdaric euforik dhe jo profesionist ish kapiteni premci nuk permbahet eliminim i turpshem kjo vllazni nuk eshte per titull apo kupe



































Ish-kapiteni i Vllaznisë kampion me këtë skuadër Astrit Premçi, ka folur për eliminimin e kuqebluve prej skuadrës islandeze, Valurit.astrit premciNë bisedën për “Panorama Sport”, ai e ka quajtur joprofesionalizëm edhe deklaratat e teknikut Brdariç që sipas tij ndikuan jo pak edhe në atë eliminim. Për të, Vllaznia ka nevoja imediate për ndërhyrje në merkato. Ai me këtë përbërje nuk e sheh Vllazninë për titull në sezonin e ri.

Si i patë dy takimet e Vllaznisë në “Konferencë Ligë”?
Përsa i përket eliminimit ishte i turpshëm. Ndërsa unë nuk mund t’i them as ndeshje asaj të dytës që luajtëm në Shkodër. Në ndeshjen e kthimit nuk pamë asgjë. Nuk e mendoja kurrë si të tillë këtë eliminim për vetë faktin se ishte kundrejt një ekipi që ishte pothuajse në një nivel me ne. Vllaznia vetëm lojë nuk ka zhvilluar.

Një ekip që çaloi në çdo aspekt. në takimin e dytë ndaj Valurit, çfarë ngjau sipas jush te Vllaznia?
Ekipi çaloi në çdo repart. Një mbrojtje inekzistente. Një mesfushë e sulm pas asnjë lloj orientimi. Ekipi në asnjë moment nuk tregoi dëshirë për fitore, nuk i impononte rritëm apo intensitet lojës për t’i detyruar kundërshtarët të gabojnë. Përkundrazi ishin ata që na vunë në presion që në fillim të takimit, duke realizuar dy gola të shpejtë.

Ku e shihni se kjo skuadër ka pikat e dobëta?
Në çdo aspekt. Nuk mundesh me thënë se çfarë nuk funksionoi, pasi gjithçka nuk funksionoi. Konstatova që për disa lojtarë ishte mjaft e vështirë të shpreheshin siç duhet në fushën e lojës. Unë do të vë theksin edhe te jo profesionalizmi që tregoi trajneri me deklaratat e tij, duke e bërë çështje të mbyllur kualifikimin. U tregua euforik dhe bëri kualifikimin e kryer. Nuk i falet kjo një trajneri dhe për më tepër, ekipi nuk iu përgjigj në asnjë moment dhe ai nuk arriti të bëjë asgjë. Më duket një trajner jo profesionist dhe që në çdo skuadër që ka drejtuar është larguar për mungesë rezultatesh. Këtë e lidhi dhe me deklaratat e tija të dhëna pas dy ndeshjeve.

Si i shihni afrimet e bëra nisur nga dy takimet e zhvilluara, por edhe lojtarët e larguar?
Në fazën sulmuese ekipi nuk ishte i rrezikshëm, pasi i mungonte shpejtësia e veprimeve ndërmjet lojtarëve dhe opsionet në sulm mungonin, kjo e bashkangjitur dhe me probleme teknike të lojtarëve. Ndoshta mund të jetë herët, por me ato që kam parë në dy takimet e para nuk është bërë më e mira e mundshme këtë e theksoj edhe vetë tekniku Brdariç. Ndërsa do të thosha që duhet të kishin mbajtur si Smajlin epo ashtu edhe Hakajn.

Ku duhet bërë më shumë në merkato, për sezonin e ri?
Mendoj se duhet që të ndërhyhet në merkato sa më shpejt që të jetë e mundur. Natyrisht çdo repart ka nevojë për përforcime. Në mbrojtje, në mesfushë, në krah, në sulm ndoshta duhet edhe një sulmues tjetër me karakteristikat e Balës. Kur thashë që trajneri ka treguar jo profesionalizëm e lidha edhe me deklarimet e tij pas dy takimeve. Pas takimit të parë, theksoi se ekipi është i plotë, i gatshëm për turin tjetër dhe për kampionat. Pas një jave thotë që nuk po flemë, por po shikojmë për të tjera afrime. O njëra o tjetra janë, të dyja bashkë nuk shkojnë. Ndeshja e dytë e tregoi sesa janë forcat e Vllaznisë. Unë do ta pyesja trajnerin: A ke qenë gabim atëherë që the se jemi të kompletuar apo tani që thua duhet të plotësoheni sërish? Këtë e di ai më mirë tani.

Me këtë kontingjent me atë që kemi parë në dy takimet e Ligës së Konferencës, e shikoni këtë skuadër të denjë për të qenë për titull për sezonin e ri?
Me aq sa kemi parë nuk mendoj se Vllaznia mund të luftojë për titull dhe as për Kupë në këtë sezon, por natyrisht sa nuk është vonë me mbështetjen e presidentin dhe te stafit teknik kanë akoma kohë për të ndërhyrë në merkato. Megjithëse është e vështirë në këtë fazë të merkatos të gjesh lojtarë cilësorë që i nevojiten Vllaznisë. Kështu siç janë e shoh shumë larg titullit e Kupës

ADMIR URUÇI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co

Similar Posts