Filip Najdovski del në skenë tek Elbasani. 31-vjeçari, i cili u largua në mbyllje të këtij edicioni pas katër sezonesh me bardheblutë ku edhe mbajti shiritin e kapitenit me këtë skuadër, shihet si një mundësi e mirë për te verdheblutë.
Burime të besueshme të “Panorama Sport” pranë kampit elbasanas pohojnë se qendërmbrojtësi është një futbollist që pëlqehet dhe kanë nisur kontaktet për të parë mundësinë e një bashkëpunimi midis palëve për këtë edicion. Shkupjani është një lojtar i lirë në treg dhe nëse palët bien dakord nuk ka asnjë pengesë që për këtë sezon të veshë ngjyrat verdheblu. Megjithatë, për momentin bëhet fjalë thjesht për biseda paraprake midis palëve dhe ajo që ka rëndësi është dëshira e mirë nga të dyja anët për t’u bashkuar. Najdovski me bardheblutë ka fituar edhe një titull kampion, kështu që nëse do të bëhet pjesë e Elbasanit, do t’i bashkohet pjesës tjetër të lojtarëve në skuadër që kanë në palmaresin e tyre tituj të rëndësishëm. Para se të niste aventurën në vendin tonë katër sezone më parë, maqedonasi ka qenë pjesë e Vardarit në Maqedoninë e Veriut, ku edhe aty ia doli të fitojë një titull kampion. Bëhet fjalë për një futbollist me mjaft eksperiencë mbi supe, sepse njëkohësisht me Tiranën dhe Vardarin ia ka dalë të fitojë edhe nga një kupë në kampionatet respektive.
“MARKET” BARDHEBLU – Duket se lojtarët e Tiranës janë ata që po preferohen më shumë në kampin elbasanas, sepse nëse Najdovski do të vinte në Elbasan do t’i bashkohej ish – shokëve të tij të skuadrës. Bëhet fjalë për Ardit Hilën, që u bashkua me verdheblutë në merkaton e janarit, si edhe për Bruno Lulajn që praktikisht mund të quhet futbollist i Elbasanit, pasi palët kanë rënë dakord për gjithçka. Me Lulajn në prapavijë pritet të ketë përgjegjësinë edhe të formimit në dyshes së mbrojtjes për këtë sezon. Nga ana tjetër, duke parë që nga bardheblutë kanë dalë shumë lojtarë të lirë në këtë merkato vere, mbetet gjithnjë një opsion që elbasanasit të hedhin sytë edhe te të tjerë futbollistë të tyre, që mund t’u bëjnë punë për të përforcuar skuadrën dhe arritur objektivat. Sa i përket ish–bardhebluve, në skuadrën aktuale të Elbasanit janë edhe Bedri Greca apo Edon Hasani.
TË TJERËT – Duke qenë se Elbasani vjen nga Kategoria e Parë në Superiore dhe si synim ka “Final 4”, nevojitet që t’i bëjë një riformatim skuadrës. Për këtë arsye, kanë filluar që tani të qarkullojnë emra të rëndësishëm që mund t’i bashkohen në këtë sesion veror. Mësohet se lista e të kontaktuarve dhe të vetë ofruarve është shumë e gjatë, me menaxherë të ndryshëm që po i ofrojnë lojtarët që janë të gatshëm të vijnë në Elbasan. Mirëpo, verdheblutë i kanë idetë e qarta dhe se nuk duan të bëjnë “çmendurira” në merkato në aspektin ekonomik, pavarësisht se kanë në dispozicion një buxhet të konsiderueshëm.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co