Pas Anxhelo Tafas dhe Stivi Frashërit për të qenë pjesë e Elbasanit këtë sezon për të mbrojtur katërkëndëshin e portës, në skenë ka dalë edhe emri i Mario Dajsinanit.
Burime të “Panorama Sport” mësojnë se gardiani i Laçit pëlqehet në kampin verdheblu, për shkak të moshës së re dhe eksperiencës që ka marrë përgjatë këtyre viteve në futbollin shqiptar. Indiciet e para mes palëve janë dhënë, por gjithsesi mbetet për t’u parë nëse do të ketë një finalizim me sukses apo do të mbesë thjesht në kuadrin e fjalëve apo dëshirave.
Tre sezonet e fundit 25 – vjeçari ka mbrojtur portën e Laçit, ndërsa më herët ka milituar edhe te skuadra e Skënderbeut, ku edhe numëron një titull kampion, pa harruar edhe Partizanin. Për këtë arsye në Elbasan e shohin si një investim të rëndësishëm, edhe pse mësohet se në garë për të marrë shërbimet e tij ka disa skuadra. Problem për momentin mbetet marrëveshja me Laçin, sepse lojtari ka kontratë edhe një sezon me kurbinasit dhe vështirë se këta të fundit do ta lëshonin lehtë.
SYNIMET
Përpos shumë emrave që janë lakuar në Elbasan sa i përket afrimeve, deri më tani verdheblutë nuk kanë bërë asnjë zyrtarizim. Ndër lojtarët më të lakuar kanë qenë ato të Lorenc Trashit, Esin Hakajt, Emiljano Mustës apo edhe Geralb Smajlit. Lojtarë të cilët kanë pasur kontakte me verdheblutë dhe që aktualisht janë të lirë në treg, por ende nuk ka një dakordësi. Vetëm Bruno Lulaj mund të konsiderohet si i sigurtë për t’u afruar, pasi marrëveshja është arritur mes palëve.
Siç dihet, këtë edicioni elbasanasit do të hyjnë me pretendime të mëdha në kampionat, pasi që në vitin e parë duan të sigurojnë një vend në “Final 4” dhe në fund të luftojnë për titullin kampion. Në fokus është edhe kupa dhe për këtë arsye, kërkohet një organikë sa më e plotë në dispozicion, në mënyrë që klubi të ketë mundësinë të luftojë në dy fronte dhe të sigurojë pjesëmarrjen në Kupat e Europës. Elbasani gjatë kësaj kohe ka spastruar disa lojtarë nga skuadra e Kategorisë së Parë, duke filluar me të huajt dhe të tjerë.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co