EKSKLUZIVE/ “Një sukses në derbi do të vlente shumë”- Flet kapiteni Dita: Katërshja e parë është minimumi për Dinamon

ekskluzive nje sukses ne derbi do te vlente shume flet kapiteni dita katershja e pare eshte minimumi per dinamon





































Kthesa e bërë me fitoren kundër Elbasanit në javën e tretë duhet të vazhdojë me një rezultat pozitiv ndaj Partizanit në derbin e parë sezonal për blutë. Në kampin dinamovit e kanë të qartë këtë gjë. Atmosfera është pozitive pas ndryshimit në stol dhe pas disa goditjeve cilësore që klubi kryeqytetas ka bërë në fundin e merkatos së verës, duke sjellë në ekip emra si Aliji, Rufati, Miço e së fundi Toli.

dita

Kapiteni i Dinamos, Bruno Dita, në një intervistë për “Panorama Sport” shprehet se derbi vlen shumë për vazhdimësinë. Ai kërkon që skuadra të luajë si me Elbasanin, ndërkohë që beson shumë se 18 herë kampionët e vendit do të jenë në 4-she në fund të kampionatit.

Bruno, si do ta vlerësonit paraqitjen e Dinamos në 3 javët e para, a keni marrë atë që mendoni se meritonit?
Mendoj se Dinamo meritonte më shumë se 3 pikë në 3 ndeshje dhe këtu kam parasysh ndeshjen e Ballshit. Sepse me Egnatian ishte ndeshja e parë, vinim nga ngarkesat e fazës përgatitore dhe nuk ishim aty ku duhet. Me Bylisin e kishim ndeshjen në kontroll, kishim mundësinë të fitonim me atë penallti, apo të merrnim edhe një pikë, por në fund humbëm. Na vjen keq, por janë situata që ndodhin në futboll ndonjëherë. Është fati që ndonjëherë t’i merr pikët dhe po ashti t’i jep pastaj. Me Elbasanin pastaj skuadra ishte ndryshe dhe besoj se kemi treguar fytyrën e vërtetë të Dinamos.

Edhe ju personalisht sikur ishit më mirë në rolin tuaj natyral, apo jo?
Po, e vërtetë. U ndjeva më mirë në ndeshjen me Elbasanin, edhe pse jam gati që të bëj çdo gjë që kërkon stafi teknik për Dinamon.

Tani vjen derbi i parë sezonal me Partizanin. A është gati Dinamo për të kaluar me sukses një ndeshje të tillë?
Besoj që po. Kemi punuar më shumë gjatë këtyre ditëve të ndërprerjes së kampionatit për të qenë gati dhe them se Dinamo është gati. Do të doja që të vazhdonim aty ku e lamë në ndeshjen me Elbasanin, në atë nivel loje dhe pastaj, ç’është më e rëndësishmja, të marrim pikë. Me ardhjen e profesor Ilir Dajës është rritur intensiteti në stërvitje dhe kam besim se skuadra do të shprehet mirë në një ndeshje të vështirë, siç është derbi. Këto lloj ndeshjesh kanë shumë rëndësi, sepse nëse kalohen me sukses, bëhen një shtysë shumë e fortë për më tej, të karikojnë më shumë.

Përmendët trajnerin Daja, të cilin ju e njihni mirë. Sa besoni se me të në krye Dinamo mund të kthehet në majat e futbollit shqiptar, siç janë edhe objektivat e saj?
Për profesor Dajën flet vetë e kaluara, nuk është puna për t’i bërë qejfin. Kudo ku ai ka punuar, është ndjerë dora e tij, kështu që besoj se Dinamo do të shkojë gradualisht në vendin që meriton të jetë. Unë do të thosha se të gjithë ne lojtarët duhet të punojmë fort gjithë kohën për këtë objektiv, sepse asgjë nuk vjen vetë. Sado udhëzime dhe orientime të na japë trajneri, nëse ne aktorët në fushë nuk i zbatojmë si duhet dhe nuk jemi të përqendruar, atëherë ka vështirësi. Por, siç e theksova, besoj shumë se do të bëjmë një sezon të mirë, me rezultatet që duam.

Në fundin e merkatos janë bashkuar me skuadrën edhe disa lojtarë me kualitet…
Po, është e vërtetë. Jemi përforcuar goxha dhe mendoj se kemi një skuadër të denjë për të pretenduar diçka të rëndësishme këtë sezon, minimalisht një vend në katërshen e parë. Dinamo ka investuar dhe do të shkojë në vendin e saj. Jemi ekipi i dytë me më shumë tij kampionë në vend, pavarësisht asaj periudhe të errët që kaloi kjo skuadër për shumë vjet. E ritheksoj, çdo gjë do ta arrijmë vetëm me punë dhe me respekt të çdo kundërshtari.

Sa e njihni Partizanin, kundërshtarin e ndeshjes së radhës?
Jemi munduar ta analizojmë kundërshtarin këto ditë me stafin teknik. Kemi njohuri për Partizanin dhe do të mundohemi ta godasim në ato pikë ta dobëta që ai ka. Na duhet të bëjmë një ndeshje shumë të kujdesshme, duke ruajtur përqendrimin deri në sekondën e fundit. Uroj të kemi edhe pak fat. Është nga ato ndeshje, ku duhet të jenë disa faktorë në anën tonë që ta fitojmë këtë derbi të parë. Ne lojtarët do të japim gjithçka në fushë për të marrë më të mirën.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co

dsaadmin

Learn More →