Partizani vijon të punojë për të kryer afrime në pozicionet ku stafi mendon se i nevojiten. “Panorama Sport” mëson se të kuqtë kanë arritur marrëveshjen me ish-mbrojtësin e Erzenit, Anteo Osmanllari.Për korçarin ky është një rikthim, pasi ai ka luajtur te Partizani për afro gjashtë muaj në vitin 2021, por pa arritur të lërë shenjë dhe të sigurojë një kontratë afatgjatë. Partizani ka ndërhyrë gjatë kësaj vere dhe ka arritur marrëveshjen me 25-vjeçarin, i cili pritet të firmosë të paktën për dy vitet e ardhshme. Në ditët në vijim lojtari do t’i bashkohet ekipit në stërvitje për të nisur këtë eksperiencë të re.
Në sezonin e shkuar Osmanllari luajti në 28 ndeshje, duke grumbulluar një total prej 1807 minutash. Ai kontribuoi me 3 asiste në total. Mbrojtësi ka dalë nga akademia e Skënderbeut, por pa arritur të luajë me ekipin e parë të bardhekuqve. Hapat e parë të karrierës si profesionist ai i ka hedhur në Kategorinë e Parë, për t’u ngjitur bashkë me Erzenin në elitën e futbollit tonë. Pas rënies së klubit shijakas nga Superiorja, Osmanllari ndërpreu bashkëpunimin pas fundit të kontratës. Aspekti pozitiv për 25- vjeçarin është fakti se ai mund të luajë mirë në disa pozicione në fushë dhe mund të shndërrohet në një “xhol” për trajnerin e ardhshëm të të kuqve. Ai mund të mbulojë mirë dy krahët e mbrojtjes, por mund të luajë edhe në mesfushës.
KONKURRENCA – Stafi i di më mirë nevojat dhe strategjinë për ekipin, por duhet thënë se në krahë Partizani i kishte të dubluara rolet edhe para ardhjes së Osmanllarit. Në të djathtë, ku ai ka rolin e tij natyral, luajnë Hadroj dhe Zuna, teksa në të majtë të kuqtë kanë Zguron dhe Hadrojn. Bashkë me Osmanllarin bëhen pesë mbrojtës anësorë në total. Nuk dihet strategjia ekzakte që klubi ka menduar në lidhje me këtë lëvizje, por një mundësi është spostimi i Zguros si qendërmbrojtës në mbrojtjen me tre dhe lënia e balotazhit mes Buxhelajt dhe Osmanllarit në krahun e majtë të mesfushës me pesë. Gjithashtu, nuk përjashtohet largimi i Hadrojt, që kërkohet nga disa klube, por edhe i Zunës, i cili kërkon minuta të rrjedhshme për t’u rritur.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co