Tirana i ka dhënë lamtumirën Bledi Shkëmbit dhe ndonëse nuk ka zyrtarizuar ende “divorcin” me teknikun, ka nisur menjëherë bisedimet me kandidatët për të zënë vendin e lënë bosh nga ai.
“Panorama Sport” mëson se negociata më e mundshme për finalizimin e marrëveshjes është ajo e Gugash Maganit, i cili u largua pak javë më parë nga drejtimi i Lushnjes në Kategorinë e Parë. Trajneri është kontaktuar nga drejtuesit bardheblu dhe ka shprehur gatishmërinë e tij për t’u ulur në pankinën e ekipit të cilin e ka drejtuar edhe më parë gjatë karrierës së tij.
Magani ka qenë në stolin e Tiranës në vitet 2013-2015, por duke mos arritur që të çonte asokohe bardheblutë në zonën e Europës. Gjithsesi, ai shihet nga drejtuesit e klubit si profili i duhur për të marrë drejtimin e ekipit në këtë edicion, ku skuadra përsëri noton në ujëra të turbullta në klasifikim, larg pretendimeve që ka për katërshen e parë apo për të siguruar praninë në Europë.
PANORAMASPORT.AL