Vetëm pak ditë më parë David Nikolli regjistroi një rezultat historik për Shqipërinë, duke u bërë atleti i parë kuqezi në radhët e djemve që fiton medalje ari në Kampionatin Ballkanik të kros-kauntrit që u mbajt në Rumani. Në një prononcim për “Panorama Sport”, rekordmeni i shumë disiplinave të atletikës tregon emocionet e këtij suksesi, por nuk i harron kurrsesi problemet që ka pasur vitet e kaluara me drejtuesit e federatës, të cilat madje e detyruan të hiqte dorë nga Kombëtarja për disa vite, ndërsa mendonte që t’i jepte fund edhe karrierës.
MEDALJA HISTORIKE – “Po, është e vërtetë, rezultati në Kampionatin Ballkanik ishte historik për Shqipërinë, por gjithashtu edhe për mua, sepse ishte hera e parë që fitoja një medalje të artë në këtë disiplinë”, janë fjalët e para të Nikollit, i cili më pas vijon: “Bëhet fjalë për një garë shumë të vështirë, pasi është me distancë të gjatë dhe me konkurrencë të lartë, ku garojnë atletë shumë të fortë. Kështu që jam i gëzuar për medaljen dhe paraqitjen time”.
“GURËT NË KËPUCË” – Në vitin 2021, David Nikolli u tërhoq nga Kombëtarja pas problemeve të përsëritura që ka pasur me drejtuesit e federatës, teksa asokohe FSHA drejtohet nga presidenti Gjergj Ruli. Me suksesin historik në Ballkanik, Nikolli nuk harron të heqë edhe disa “gurë nga këpuca” të së shkuarës, duke u rikthyer të komentojë largimin nga ekipi përfaqësues: “Ky ishte një rikthim për mua në garat ndërkombëtare me Shqipërinë, pasi me drejtuesit e mëparshëm në Federatën Shqiptare të Atletikës për mua ishte e pamundur që të bashkëpunoja me ta. Kështu që ky rezultat ishte një gëzim i dyfishtë për mua, duke parë rëndësinë e medaljes si vështirësitë apo problemet që kam pasur me drejtuesit e mëparshëm të federatës. Sjella e tyre ndaj meje, më çoi në pikën gati për të lënë sportin, ndërsa qëndrova 3-4 vite pa garuar për Shqipërinë, duke humbur shumë medalje”, shprehet 30- vjeçari.
RIKTHIMI – Nikolli më pas thekson se rikthimi i tij në Kombëtare u bë falë presidentit aktual të federatës, Taulant Stërmasit. “Jam kthyer edhe një herë në Kombëtare për të dhënë kontributin për vendim tim. Me këtë rast dua të falënderoj presidentin, Taulant Stërmasi, i cili ka bërë të mundur rikthim tim në Kombëtare. Federata më kontaktoi, më afroi dhe bëri gjithçka që unë mos ta lija sportin. Gjithashtu federata më ndihmoi që të bashkohesha edhe me Partizanin, një klub që po më mbështet, e me këtë rast dua të falënderoj edhe drejtorin, Shkëlqim Muça”, deklaron kampioni i atletikës, i cili deri në moshën 23-vjeçare ka qe luajtur futboll, para se të kalonte në “mbretëreshën e sporteve”.
OBJEKTIVAT – Rekordmeni nga Mirdita, i cili jeton prej vitesh në Itali, flet më pas për përgatitjet dhe objektivat e tij të radhës: “Përgatitjet po shkojnë shumë mirë dhe jam në formë optimale, gjë që u pa edhe në Ballkanik. Gara e radhës do të jetë në Kampionatin Europian të kros-kauntrit në 8 dhjetor në Turqi. Një aktivitet ku shkoj me shumë pretendime për të synuar rezultat sa më të lartë. Pas Europianit do të nisë edhe sezoni i garave në salla të mbyllura”.
MODELI – David Nikolli tregon edhe dy modelet e tij në atletikë: “Të gjithë shqiptarët sigurisht si pikë referimi kemi Luiza Gegën, kampione e Europës dhe shembulli më i mirë për çdo sportist dhe atlet. Një kampione që ka arritur gjithçka me punë dhe është modeli për të gjithë. Gjithashtu model për mua është edhe kampioni polak, Marcin Levandovski, i cili është tërhequr tashmë. Shok i imi, që e kam parë gjithnjë si pikë referimi”.
ATLETIKA SHQIPTARE – Përveçse në Kombëtare, David Nikolli tashmë po prek nga afër edhe atletikën në Shqipëri, duke marrë pjesë në shumë evente që organizon federata. Ai u shpall kampion disa muaj më parë në garën 10 km në Vlorë, ndërsa medalje ari këtë sezon ka fituar edhe në gjysmë-maratonën ballkanike. 30-vjeçari thotë se tashmë atletika shqiptare është çliruar dhe se ky sport po merr zhvillim në vendin tonë: “Në federatë, që pas ardhjes së presidentit Taulant Stërmasi duken qartë ndryshimet. Unë më parë nuk vija kurrë në Shqipëri për të garuar, ndërsa gjatë këtij viti isha në Vlorë, qytet që nuk organizonte për shumë vite gara. Kështu ka ndodhur në shumë qytete të tjera, në të cilat ishte harruar atletika, ndërsa tani po zhvillohen rregullisht aktivitete. Kështu që atletikën shqiptare e shkoj në rritje, por sërish ka nevojë për shumë punë. Shikoj një federatë tashmë të organizuar dhe me njerëz profesionistë, të cilët po i ndihmojnë shumë atletët. Po bëhet një punë jashtëzakonisht e mirë, pasi po organizohen aktivitete në të gjithë vendin në një kohë kaq të shkurtër. Vetëm në këtë mënyrë fëmijët dhe të rinjtë mund të afrohen pranë atletikës”, përfundon prononcimin e tij David Nikolli.ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL