Kolegji i Posaçëm i Apelimit, shpalli vendimin për lënien në fuqi të konfirmimit në detyrë të gjyqtares së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, Iliba Bezati.
Kryesuesja Rezarta Schuetz sqaroi gjatë shpalljes së vendimit, se përllogaritja e shpenzimeve jetike të subjektit është kryer sipas referencave të ILDKPKI.
Ajo tha se KPA ka konsideruar si të ardhura të ligjshme ato të përfituara nga dhënia me qira e një apartamenti në Tiranë, si dhe nga shitja e librit universitar nga bashkëshorti, megjithëse detyrimet tatimore nuk janë paguar në kohën e duhur. Kolegji u shpreh se mbante në konsideratë se këto të ardhura janë krijuar me burime të ligjshme.
Bezati u konfirmua në detyrë më 1 mars 2021, pasi u rrëzuan dy raporte negative të institucioneve ndihmëse ndaj saj për pasurinë dhe figurën.
Komisioni vlerësoi se Bezati nuk mbante përgjegjësi mbi ligjshmërinë e burimit të të ardhurave të vjehrrës që kishin shërbyer si burim kryesor i pasurisë së saj.
Njoftim vendimi
Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga gjyqtarët Rezarta Schuetz kryesuese, Sokol Çomo relator, Ina Rama, Natasha Mulaj, Albana Shtylla anëtarë, shpalli vendimin për çështjen nr. 29/2021, datë 28.05.2021, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 352, datë 01.03.2021, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Iliba Bezati.
Në përfundim të gjykimit, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “a” e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi:
Lënien në fuqi të vendimit nr. 352, datë 01.03.2021 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe që i përket subjektit të rivlerësimit Iliba Bezati.
Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.
U shpall sot, më datë 30.07.2024, në Tiranë.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co