Një shqiptar ka mbetur i plagosur në Athinë. Sulmi i armatosur ka ndodhur pak para orës 04:00 të mëngjesit ndaj një 34-vjeçari Renis Fajzolli, i cili ndodhej në një park në rrugën Sidirokastro në zonën e Botanikos. Pas të shtënave, shqiptari ka mbërritur me makinën e tij në cep të rrugës ‘Iera Odos’ dhe ‘Spyrou Patsi’, ku ka kërkuar ndihmë nga policët që po patrullonin me makinë.
Sipas policisë i riu shqiptar, është dërguar në spitalin Giorgos Gennimatas ku po trajtohet për dëmtime në bark. Mediat greke raportojnë se autorët kanë qenë duke hipur në një mjet me të cilin i janë afruar 34-vjeçarit para se ta qëllonin tre herë.
Të njëjtat informacione bëjnë me dije se në vendin ku ndodhi krimi janë gjetur tre gëzhoja të kalibrit 9 mm. Ndërkohë, shqiptari rezulton me precedent penal, pasi në vitin 2019 është arrestuar për një çështje droge, por provat e deritanishme nuk tregojnë për përfshirjen e tij në ndonjë rast tjetër të rëndë.
(BalkanWeb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co