Bota

Epoka e “hekurishteve” në Shqipëri

epoka e hekurishteve ne shqiperi

































ndue-dedaj1NDUE DEDAJ

Nuk është fjala për “kohën e hekurit” në lashtësi si periudhë historike e as për lulëzimin e industrisë mekanike në Shqipërinë e viteve ‘60, kur u ndërtuan disa uzina që prodhonin makineri dhe pajisje, por për këtë kohën e sotme të “hekurit”. Na qoftë për mbarë! Koha do të tregojë nëse po bëjmë gjithnjë gjënë e duhur me këtë “hekurin” bashkëkohor, edhe pse miniera e hekur – nikelit në Gur të Kuq (Pogradec) ka pushuar prej shumë vitesh.

Sapo është vënë mbi këmbët e veta, pas rrëshqitjes nëpër liqen, ura e çeliktë, njëharkëshe e Kukësit, që më të vërtetë është një vepër e rrallë inxhinierike siç është thënë dhe në Ballkan. Po këto ditë në hyrje të Shkodrës u përurua një “çelës” disatonësh prej hekuri, instalacion artistik me simbolikën e mirëseradhjes në qytetin, që kurrë nuk pati nevojë për ndonjë “çelës”, mbase ngaqë kishte simbolikat e veta autentike në dy mijë vjet qytetërim. Sigurisht që janë dy gjera të ndryshme për nga funksioni, “çelësi” i Shkodrës dhe ura e Kukësit, paçka se të dyja kanë vetinë për të mos u ndryshkur, për më tepër që dhe ura ka mbrujtjen e vet artistike.

Nuk dimë ende sa vepra si ky “çelësi” shkodran do të shkrihen natyrshëm dhe estetikisht me shpirtin e qyteteve ku janë, pasi hekuri nga natyra është disi i “ftohtë” për t’u përshtatur me mjedisin urban dhe njeriun. Ky i fundit shpesh i bie shkurt: “Ore, ky çelësi ynë ka kuptimin e hapjes apo të mbylljes së “portës” së qytetit?” pasi çelësat dihet që janë shpikur për të mbyllur e pastaj për të hapur. Çfarë do të thonë turistët e shumtë nga bota, që nisen për të gjetur në këtë qytet gjënë e vet skulpturore dhe jo atë që mund të gjendet dhe në Japoni, Dubai e kudo tjetër nëpër kontinente. Apo globalizmi tashmë po e fshin si pa e kuptuar autoktonen, lokalen, identitaren. Përderisa Tiranës, kryeqytetit, po i fshihet çdo gjurmë e të vjetrës së saj, përmes kullave të “importit” që tashmë e kanë pushtuar pamjen e saj urbane, pse të mos ndodhë kështu dhe tjetërkund në Shqipëri?…

Jo se këto janë të parat vepra prej hekuri në vendin tonë. Edhe te rrethrrotullimi i “Zogut të Zi” është një instalacion metalik modern punuar i gjithi në inoks. (Kush po thotë se aty instalacioni mund të ishte me shëmbëlltyrën e ndonjë shpendi! Një shqiponjë që kishim pak më poshtë e hoqëm si të mos ishte!) Le pastaj në botë, ku shkëlqen kulla Eifel, Statuja e Lirisë, për ndërtimin e të cilave janë përdorur qindra ton hekur etj., gjer njëqind ujqërit prej hekuri në Napoli.

Problemi është sa hekuri i kësaj “epokës” së re të tij do të rrijë lirisht e denjësisht krahas monumenteve prej bronzi etj. E themi këtë se ka pasur dhe vepra diletante, si një obelisk në Rrëshen, prej12 shufrash të trasha hekuri, të lidhura në krye me një qafore, që nuk i rezistoi kohës as pesëmbëdhjetë vjet. Një simbolikë prej metali në qendrën e Pirustëve (Mirditë) të paktën duhej të ishte prej bakri. Ende më keq e ka pësuar Fieri me “globin” e tij të famshëm metalik që u ndryshk brenda pak vitesh, duke e bërë Bashkinë ta heqë nga qendra e qytetit simbolin e Europës, por duke e ruajtur të pandërruar ëndrrën e integrimit europian. Edhe “globi” fierak ishte i ideuar nga një artist dhe kishte kushtuar jo pak.

Hekurishtet ndonjëherë kanë qenë mallkimi ynë i madh. Mjafton të shohësh se si Elbasani, njëri nga qytetet më ekologjike shqiptare u shndërrua në “varrezë hekuri” e Metalurgjikut, që vazhdon t’i zërë frymën. Edhe pse nuk është një vepër artistike, mbase instalacioni i hekurt më me kuptim është një vagonë minerali e ekspozuar në mjediset e ish-minierës burg të Spaçit.

Liria e krijimit është e shenjtë dhe skulptorët janë në të drejtën e tyre të fantazojnë e krijojnë vepra nga më të guximshmet, ndonjëherë dhe ekstravagante, kurse institucionet shtetit që administrojnë hapësirat publike kanë detyrimin që të dëgjojnë paraprakisht qytetarët për çdo objekt të ri që vendoset në parqe, sheshe, rreth-rrotullime etj..

Artistët për veprat e tyre të artit dhe ato monumentale historikisht kanë përdorur çdo material të fortë dhe me shkëlqim: bronzin, bakrin, hekurin, gipsin, mermerin, qelqin, allçinë, drurin, bririn etj., por a thua po i “konkurron” të gjitha të tjerat hekuri!? Mbetet për t’u parë, është koha e re e tij, apo ky është vetëm një shpërthim kalimtar “hekurishtesh”, siç i quajmë rëndom në të folurën e përditshme?…

Sigurisht do të kemi edhe hekur “artistik” në kryqëzim rrugësh etj., por jo kudo dhe pa fund si një mani moderniteti, aq më tepër në përmasa gjigande, në një vend të vogël!…

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co

Similar Posts