Epopeja e UÇK-së, Kurti: Me këngën “Mora fjalë” ne themi “çohu Adem”

epopeja e uck se kurti me kengen mora fjale ne themi cohu adem
epopeja e uck se kurti me kengen mora fjale ne themi cohu adem

Epopeja e UÇK-së shënon ngjarjen më të rëndësishme historike të shekullit XX, fundin e regjimit të Serbisë dhe si e tillë është beteja që përcaktoi të ardhmen e shqiptarëve që ua ktheu dinjitetin atyre dhe është beteja që frymëzon çdo ditë çdo shqiptar.

Kështu u tha sot në një akademi përkujtimore në 26-vjetorin e epopesë së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe komandantit legjendar Adem Jashari në Prishtinë.

Për t’iu përkulur veprës madhështore të komandantit të UÇK-së Adem Jashari, familjes Jashari dhe të gjithë atyre që ranë në fushat e nderit për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, të pranishmit kanë mbajtur një minutë heshtjeje.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Epopeja e lavdishme e UÇK-së dhe sakrifica për atdhe e familjes Jashari është e papërsëritshme, teksa ka përmendur edhe tekstin e këngës së njohur “Mora fjalë” kushtuar kësaj epopeje të rëndësishme në historinë e vendit tonë.

“’Mora fjalë, mora vargun, mora qarkun me thur këngë’. Çfarë po bëjmë ne, kështu nis kënga dhe më pastaj ky është edhe refreni, më pastaj strofa e dytë porsa përpiqemi të themi diçka, ne themi ‘çohu Adem’… Pra është e pamundur të shkohet më larg se strofa e parë, e pa rënë në veprim. E unë besoj se kjo është arsyeja pse ka këngë, por nuk ka tekst. Vetëm me këngën me një tekst kaq të bukur dhe po ashtu me një melodi po ashtu të jashtëzakonshme është bërë e mundshme që të gjejmë diçka artistike që bëhet kulturë meqenëse rrah porsi zemra e popullit”, ka thënë Kurti.

Ai ka folur edhe rreth 25-vjetorit të çlirimit të Kosovë për të cilën tha se ishte meritë e atyre që luftuan për atdhe.

“Në kalendarin e ditëve të shënuara në Republikën e Kosovës datat 5,6 dhe 7 mars janë të rrethuara me të kuqe, teksa sipër tyre është shkruar me shkronja kapitale Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sivjet, sipër këtyre fjalëve është shkruar 26 vjet lavdi. Janë 26 vjet lavdi, sepse çdo vit që kalon lavdia e rezistencës së Jasharëve të Prekazit shkon duke u rritur, ashtu sikurse që e tërë trashëgimia e historisë së UÇK-së sa vjen e shtohet”, ka thënë Kurti.

Kurti tha se të gjithë duhet ta ruajmë dhe kultivojmë trashëgiminë e lavdishme të Epopesë së UÇK-së dhe se përmes projektit për restaurimin e Kompleksit Memorial të Jasharëve në përvjetorët e ardhshëm Prekazi do të shndërrohet në një vend historik e dinjitoz që tregon për rezistencën e Jasharëve.

Një fjalë rasti në këtë akademi përkujtimore mbajti edhe Besarta Jashari nga familja e komandantit legjendar Adem Jashari.

“Në këtë kohë që kemi lirinë dhe paqen në tokën tonë e të parëve shpreh mirënjohjen dhe falënderimin për të gjithë brezat që kontribuuan për tokën tonë të shenjtë. Liria dhe paqja janë dy elemente bazë që sigurojnë rrethanat normale për zhvillimin e jetës. Edhe në vendin tonë të begatë Kosovën, e drejta për të jetuar të lirë dhe në paqe është e drejtë themelore për secilën qenie njerëzore, andaj secili duhet ta llogarisë veten si misionar që të promovojë paqen…”, ka thënë Jashari.

Akademia përkujtimore kushtuar Epopesë së lavdishme të UÇK-së ka përfunduar me një koncert artistik.

Ndryshe, 5, 6 dhe 7 marsi njihet si Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku u vranë 59 anëtarë të familjes Jashari pas rezistencës tri ditore. /kp/

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

dsaadmin

Learn More →