Shtatë tifozë të ekipit kombëtar të Serbisë janë dërguar në mbajtje më 16 qershor, pasi ishin përfshirë në një përleshje në qytetin Gelsenkirchen në Gjermani, para ndeshjes së skuadrës së tyre kundër Anglisë në Kampionatin Evropian të futbollit, njoftoi policia.
Një zëdhënës i policisë tha për AFP se kundër njërit prej tifozëve u ngrit padi për lëndime të rrezikshme trupore.
Hollësitë për natyrën e lëndimeve dhe për atë që ndodhi gjatë përleshjes, ende janë të paqarta, tha zëdhënësi.
Më herët, policia tha se u detyrua t’i ndajë tifozët anglezë dhe ata serbë, të cilët u përleshën mes vete para ndeshjes.
Zëdhënësi tha se asnjë tifoz anglez nuk u arrestua.
Anglia e mposhti 1:0 Serbinë në ndeshjen e tyre në Grupin C, falë golit të Jude Bellingham.
Në ndeshjen tjetër të këtij grupi, të zhvilluar më herët gjatë ditës, Danimarka dhe Sllovenia u ndanë baras 1:1.
EURO 2024 filloi të premten më 14 qershor dhe do të përfundojë me ndeshjen finale më 14 korrik./REL
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co