Një ditë më parë, në një deklaratë të dhënë për “Panorama Sport”, sulmuesi i Kukësit, Sebastian La Torre, hodhi akuza të rënda për klubin verilindor. Sulmuesi peruan ka folur pas përfundimit të huazimit te Flamurtari, ku del qartë që ai s’preferon që të kthehet te Kukësi.
Akuza e 25-vjeçarit janë hedhur poshtë nga kampi kuksian, që reagon dhe jep versionin e vet dhe fakte përmes një deklarate për gazetën. “La Torre ka kontratë dy vjet me Kukësin. U huazua pjesën e mbetur nga trajneri i asaj kohe, Stavri Nica, sepse nuk e shihte pjesë të ekipit, pavarësisht se drejtuesit e donin të startonte çdo ndeshje. Erdhëm në atë pikë që lojtarin nuk donim ta largonim, por edhe trajnerit donim t’ia plotësonim kërkesën. La Torre, nga lënia jashtë loje nga trajneri, protestonte me mos paraqitje në stërvitje me mbi dy javë. Është paralajmëruar, nuk është gjobitur, madje edhe është paguar. Në janar kur u huazua, e pranoi me shumë dëshirë huazimin, sepse normalisht te Flamurtari do të merrte edhe një pagë pak më të lartë. Tani jep intervistë kundër klubit kur është nën kontratë”, thuhet fillimisht në reagimin e klubit verilindor.
Në vijim, në komunikimin e klubit theksohet se ndaj lojtarit do të merren masa ligjore. “Do merren masa ligjore për të në bazë të kushteve që ka në kontratë. Pretendonte të paguhej edhe gjatë huazimit, por ne kishim rënë dakord që pagën do ia jepte Flamurtari. Besojmë se kanë qenë korrektë, duke parë edhe jetën që bënte në Vlorë. Tani, ai kërkoi prishje kontrate, por ne nuk donim ta mbyllnim kontratën. Do të kërkojmë një kompensim për prishjen e saj, si çdo klub në botë”, sqarohet më tej. Në fund, verilindorët akuzojnë La Torren dhe menaxherët për situatën që është krijuar gjatë kësaj periudhe. “Tani, vijmë te kjo çështja me avokatët e tij.
Nga ana ligjore, nuk ka se çfarë të bëjë, sepse i është plotësuar kontrata deri në detaj, mos të themi edhe më shumë financiarisht me bonuse. Për këtë mashtrues dhe këta menaxherët e lojtarëve të Shqipërisë, edhe ky vetë, na shpikte histori për nënën e sëmurë. E lejuam të largohej në mes të sezonit në Peru për nënën. Shkoi e erdhi brenda tri ditëve. Të paktën ashtu pretendoi, por kolegët e tjerë që kishte në shtëpi e përgënjeshtruan faktin që ky kishte udhëtuar në Peru. Thjesht kishte ndenjur në apartamentin që i paguante klubi duke gënjyer për udhëtimin e tij në Peru. E shumë e shumë të tjera”, thuhet në deklaratën e klubit të Kukësit për gazetën.
Çfarë tha sulmuesi peruan për “Panorama Sport”
Sebastian La Torre, në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” në lidhje me Kukësin, u shpreh: “Jam në Peru, në pritje të zgjidhjes së kontratës me Kukësin. Shpresoj që t’i përgjigjen mesazheve të mia dhe të arrijnë një marrëveshje të mirë. I jam mirënjohës Kukësit, sepse më hapën dyert e klubit. Kukësi nuk ra nga kategoria me mua, unë nuk isha aty, por te Flamurtari ku u huazova në janar. Kur isha te Kukësi kam dhënë gjithmonë maksimumin, por nëse një lojtar nuk trajtohet mirë në një klub, ai duhet të gjejë një rrugë tjetër ku të jetë i lumtur dhe i qetë. Nëse një lojtar nuk ndihet mirë në një klub, atëherë klubi nuk mund ta detyrojë të qëndrojë, aq më pak nëse nuk do të ishin të drejtë në respekt dhe paga. Unë jam duke diskutuar çështjen time me avokatin tim dhe sindikatat peruane të futbollit. Ne do të shikojmë të gjithë çështjen ligjore. E vetmja gjë që dua është të largohem nga Kukësi dhe të jem mirënjohës për kohën e shkurtër që isha atje”.
VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co