Familjet shqiptare harxhuan 117 mln euro për bileta avioni, çfarë po ndodh…

familjet shqiptare harxhuan 117 mln euro per bileta avioni cfare po ndodh

Ka një prirje të ndryshimit të stilit të jetesës, ku argëtimi dhe udhëtimet po zënë gjithnjë e më shumë hapësirë në shpenzimet e familjeve shqiptare.

Sipas të dhënave të INSTAT, që referohen në treguesit e fundit të “Burimeve dhe përdorimeve” në ekonomi, familjet shqiptare kanë shpenzuar për shërbimet e transportit ajror (bileta avioni) rreth 11,7 miliardë lekë (117 mln euro) në vitin 2023. Në vitin 2022, konsumi i familjeve shqiptare për shërbimet ajrore ishin 7,5 miliardë.

Në 2023, shpenzimet e familjeve për shërbimet e transportit ajror shënuan rritje vjetore me 55.7%. Burimet nga Tirana International Airport pohojnë se fluksi i udhëtimeve në Aeroportin Nënë Tereza është rritur ndjeshëm nga viti në vit. Në vitin 2023, Aeroporti i vetëm në vend shënoi rreth 7,3 milionë pasagjerë, me rritje 39% në krahasim me vitin 2022.

Ndërsa nga janari deri më 21 shtator 2024 janë tejkaluar 8 milionë pasagjerë, duke sinjalizuar se rritja e fluksit të udhëtimeve do të jetë edhe më e lartë këtë vit. Të dhënat tregojnë se një pjesë e madhe e fluksit të lëvizjeve po vjen edhe nga udhëtimet e shqiptarëve jashtë vendit.

Biletat e lira dhe rritja e shërbimeve “low cost” po bëjnë që gjithnjë e më shumë shqiptarë të kalojnë fundjavat jashtë vendit. Shërbimet e transportit u renditën në katër grupet me rritjen me të madhe të shpenzimeve të familjeve për vitin 2023.

Kompanitë e fluturimeve ajrore vitet e fundit kanë shtuar destinacionet me kosto të përballueshme për familjet shqiptare. Teksa Shqipëria po shtrenjtohet nga flukset e larta të turistëve të huaj, shumë shqiptarë preferojnë të udhëtojnë.

Shpenzimet për bileta të avioni zunë 0,75% të konsumit final të familjeve shqiptare me 2023, nga 0.5% që ishte pesha e këtij zëri në vitin 2022. Pas pandemisë udhëtimet dhe shërbimet e lidhura me to kanë pësuar rritje të shpejtë.

Pandemia Covid -19, që çoi botën në masa ekstreme të bllokimit të lëvizjeve. Me heqjen e kufizimeve u rikthye një oreks i ri për udhëtime në të gjithë globin. Të dhënat tregojnë se edhe shqiptarët janë në këtë trend, ku udhëtimet dhe sidomos ato me avion po bëhen pjesë integrale e buxheteve të familjeve./Monitor/

Capture
Capture
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

dsaadmin

Learn More →