Bota

Fati i propozimit për armëpushim varet nga Kryeministri Netanyahu dhe udhëheqësi i Hamasit në Gazë

fati i propozimit per armepushim varet nga kryeministri netanyahu dhe udheheqesi i hamasit ne gaze
fati i propozimit per armepushim varet nga kryeministri netanyahu dhe udheheqesi i hamasit ne gaze

Fati i marrëveshjes së propozuar për armëpushim në Gazë në shumë mënyra varet nga dy njerëz: Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe udhëheqësi i Hamasit në Gazë, Yahya Sinwar.

Secili po ballafaqohet me trysni të dukshme politike dhe personale që mund të jenë duke ndikuar në vendimmarrjen e tyre. Dhe asnjëri nuk duket se dëshiron të bëjë lëshime për t’i dhënë fund luftës së përgjakshme tetë-mujore dhe për t’i liruar pengjet e rrëmbyera nga Hamasi gjatë sulmit të 7 tetorit.

Hamasi është pajtuar me kornizën e përgjithshme të planit, por ka kërkuar “ndryshime”. Kryeministri Netanyahu ka vënë në dyshim publikisht disa aspekte të tij, ndonëse Shtetet e Bashkuara e kanë paraqitur atë si një plan izraelit.

Ndër pikat kryesore që po kundërshtohen është si të kalohet nga marrëveshja fillestare e përkohshme e armëpushimit në fazën e parë të planit, në një armëpushim të përhershëm që përfshin përfundimin e luftimeve dhe tërheqjen e plotë të forcave izraelite nga Gaza.

Më poshtë një vështrim rreth motiveve të dy udhëheqësve:

Netanyahu po “fiton kohë”

Gjatë gjithë luftës, udhëheqësi izraelit, që ka qeverisur për një kohë të gjatë, është kritikuar se po lejon kalkulimet politike të ndërhyjnë në vendimmarrjen e tij.

Qeveria e tij është në pushtet falë dy partive ultra-nacionaliste që kundërshtojnë marrëveshjet e armëpushimit. Në vend të armëpushimit, ata parapëlqejnë trysninë e vazhdueshme ushtarake në përpjekje për të mundur Hamasin dhe për të liruar pengjet. Ata gjithashtu thonë se palestinezët duhet të “nxiten” që të largohen dhe që vendbanimet izraelite, të cilat u tërhoqën nga Gaza në vitin 2005 kur Izraeli u largua që andej pas okupimit 38 vjeçar, të vendosen sërish në këtë territor.

Zoti Netanyahu ka mbajtur qëndrim të ashpër rreth armëpushimit, duke thënë se ai nuk do të ndalë luftën deri në shkatërrimin e kapaciteteve ushtarake dhe qeverisëse të Hamasit.

Por me partnerët e tij të koalicionit qeverisës të linjës së skajshme, që zotohen se do ta rrëzojnë qeverinë në rast të arritjes së një marrëveshjeje për armëpushim, zoti Netanyahu është zënë edhe më ngushtë. Mbështetja tek ta për të qëndruar në pushtet është shtuar pas dorëheqjes së ish drejtuesit ushtarak Benny Gantz, politikan me prirje të qendrës në spektrin politik, i cili u largua për shkak të pakënaqësive me mënyrën se si zoti Netanyahu e ka menaxhuar konfliktin.

Kryeministri Netanyahu është detyruar të baraspeshojë trysnitë e brendshme me kërkesat e administratës së Presidentit Biden, që po promovon propozimin e ri për armëpushim, si dhe nga familjet e pengjeve që besojnë se vetëm një marrëveshje do të sigurojë lirimin e të dashurve të tyre. Dhjetëra mijëra izraelitë u janë bashkuar protestave të gjera në përkrahje të familjeve të pengjeve.

Aktualisht zoti Netanyahu duket se po mban anën e partnerëve qeverisës së krahut të djathtë të skajshëm, duke patur parasysh se ata mbajnë çelësin e mbijetesës së tanishme politike të tij, ndonëse ai thotë se po mbron interesat e vendit.

Largimi i tyre nga qeveria mund të çojë në zgjedhje të reja, që mund t’i japin fund qeverisjes së tij dhe t’u hapin rrugë hetimeve për dështimet e 7 tetorit.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

Similar Posts