NGA HYQMET ZANE
Ditë për ditë para pallatit tim përballem me fëmijë që gjejnë pak hapësirë te rruga e lagjes dhe luajnë futboll për t’u argëtuar, siç kemi bërë edhe ne kur ishim fëmijë. Por me një ndryshim, se ne dikur luanim në fusha të lira dhe sot ata luajnë në rrugët e shtruara me kalldrëm. Sa e sa herë këtyre fëmijëve u ndërpritet loja se kalojnë makinat e banorëve që u bien borive me fuqi që fëmijët të largohen se mos bëjnë ndonjë aksident. Dhe fëmijët shfryjnë duke thënë “po hë o xhaxhi ik tani se na ndërpreve lojën se nuk kemi ku luajmë” dhe presin me top në dorë që të ikë makina, por pas saj vjen një tjetër makinë dhe fëmijët shfryjnë e shfryjnë.
Këta janë fëmijët e sotëm, që u janë zënë sheshet e dikurshme brenda pallateve, sepse pallatet e reja që ngrihen kudo nuk lënë asnjë hapësirë bosh për lulishte apo kënde sportive, siç bëhet në çdo vend europian. Janë fëmijët, ata që e vuajnë këtë të keqe dhe nuk kanë se ku të ankohen se askush nuk i dëgjon. I shoh këta fëmijë që kohën e lirë të fëmijërisë së tyre e kalojnë pa argëtim, pa lojëra dhe me mërzitjen e përditshme duke sharë nëpër dhëmbë këtë gjendje.
Më kujtohet kur studioja në shkollë të lartë në lëndën e psikologjisë, profesori i nderuar Bedri Dedja, njëherazi edhe shkrimtari i shquar për fëmijë që shkroi romanin “Kalamajtë e pallatit tim” që na thoshte herë pas here se fëmijët nuk duhet të rriten pa shijuar fëmijërinë e tyre me lodra dhe aktivitete për moshat e tyre. Por ai më shumë se për lojërat, e kishte fjalën se fëmijët e familjeve shqiptare të asaj kohe rriteshin me cene se u mungonin lodrat e domosdoshme për fëmijët, se ishim të varfër dhe mundësia e familjeve për t’u siguruar atyre ndonjë lodër ishte e vogël. Ishte një kohë pa mundësi reale, veç krijonin ndonjë kënd të veçuar dhe sajonin ndonjë gjë për argëtim, gjithnjë pa dalë nga vëmendja e kujdestarit të pallatit, që të vrojtonte se çfarë lojërash bënin etj..
Ndonjë fëmijë që ishte i ndonjë familjeje me këndvështrim të keq biografik, detyrohej të rrinte mënjanë se nuk pranohej mes shokësh, ose do ta bullizonin me fjalë fyese. E kam provuar mbi vete këtë realitet, ndaj e them më përgjegjësinë dhe dhimbjen që ndjeja. Qante fëmija, u ankohej prindërve dhe dita zinte ditën dhe fëmijëria e tij rritej pa e shijuar fëmijërinë dhe ai burrërohej para kohe. Më kujtohet se si kur isha fëmijë në klasën e parë a të dytë e deri në të pestën, ne kalamajtë e pallatit 18 dhe 19 në Cërrik, kishim disa djem më të mëdhenj që sajonin lojëra të këndshme me interes për fëmijët. Gëzimi më i madh se ne në moshë, dinte dhe sajoi një minifushë futbolli jo më shumë se një metër gjatësi dhe gjysmë metri gjerësi, imitim fushe futbolli me shkallë, ku në vend të tifozëve ishin gurë të vegjël dhe në çdo portë vendoseshin 4 gurë si mbrojtës dhe me një gur të vogël të rrumbullakët si top e godisnim me një pllakë guri të hollë si patshuq që gjuanim topin dhe kështu luhej ndeshja.
Secili nga ne kishte marrë emrin e një skuadre shqiptare dhe kishim krijuar një kalendar ndeshjesh. Ishte një mrekulli që tërhiqte vëmendjen e shumë kalamajve të pallateve përreth. Por një ditë tërhoqi vëmendjen edhe të shkrimtarit të mirënjohur Hyjni Ceka, që jetonte në Cërrik dhe që u frymëzua dhe bëri një roman për fëmijët që tërhoqi shumë lexues. Dy pallatet tona u bënë të njohura në qytet si edhe për imitimet me skena teatrale apo organizonim estradë me skeçe, që tërhiqnim vëmendjen e banorëve dhe fëmijëve që vinin dhe bënin sehir për të mbushur kohën me pak argëtim të këndshëm. Duhet thënë se mes fëmijëve të asaj kohe kishte shumë mungesa, por nuk kishte vese apo përdorues të drogave siç ndodh sot. Ndonjë cigare edhe pihej fshehtas dhe kaq. Përballë atij realiteti me mungesa, sot kemi një panoramë të rëndë mes fëmijëve që nga përdorimi i një fjalori banal sa habit edhe kalimtarët, pa folur për përdorimin e drogave të ndryshme, sidomos hashashit me cigare e të tjera.
Celulari me lojëra dhe video banale janë më të ndjekurat nga fëmijët dhe manifestimi i veseve është bërë si një e keqe edhe nga mungesa e edukimit familjar. Informacionet e ndryshme në shkolla të thonë se ka humbur mirëkuptimi mes mësuesve dhe nxënësve që nuk duan t’ia dinë për mësuesit, fyejnë dhe përdorin fjalë të ndyra mes tyre. Kurse mësuesit nga ana e tyre ankohen se nuk i dëgjojnë nxënësit dhe punonjësit psiko-socialë të shkollave kanë punën e vështirë të gjetjes së gjuhës mes mësuesve dhe në marrëdhëniet e tyre me nxënësit, që nuk u binden atyre dhe rregullave të shkollës. Në jo pak raste situatat e rënda në shkolla bëhen objekt i gjykimeve nga grupet e dhënies së vlerësimeve për sjelljet e nxënësve. Më shumë akoma edhe marrëdhëniet me prindërit bëhen edhe më të vështira se ata nga ana e tyre kërkojnë të justifikojnë fëmijët, por se mësuesit ankohen për fëmijët e tyre, që janë bërë si të hardallosur me mungesën e theksuar të edukatës familjare.
Ndoshta prindërit kanë edhe hallet e tyre se detyrohen të punojnë gjithë ditën për të siguruar ushqyerjen e fëmijëve ose janë në emigrim dhe edukimi i fëmijëve të tyre ka mbetur në dorë të lirë pa asnjë vëmendje. Nëse kjo situatë e fëmijëve pa fëmijëri është një panoramë e rëndë që ka pasoja në jetën e mëpasshme të çdo fëmije, edukimi në familje nga prindërit dhe pjesëtarët e tjerë të familjes ka një sindromë të rëndë të mosmarrëveshjeve nga mungesa e vëmendjes së prindërve në edukimin e fëmijëve për shkaqe objektive dhe subjektive. Prindërit të përfshirë nga ethet e mbijetesës financiare të përditshme me vonesat e ardhjes në shtëpi apo me mosvëmendjen e ndaj fëmijëve për edukim sipas moralit të shëndoshë, janë një realitet që i lë fëmijët pa edukimin e domosdoshëm. Po të kemi parasysh se shtëpia është vendi ku edukohen fëmijët, kjo gjë sot mungon në shumicën e rasteve.
Fëmijë pa fëmijëri dhe pa edukim janë një e keqe e madhe e shoqërisë shqiptare, ku politika nuk ka asnjë vëmendje për të menduar për mbarëvajtjen e fëmijëve dhe krijimin e kushteve për argëtim. Këndet e lojërave të krijuara janë për të privilegjuarit që kanë para të futen në to, por një lojë futbolli apo të tjera që kanë efekte shëndetësore pozitive mungojnë, sepse mungojnë ambientet në pallatet e lagjeve për shkak të ndërtimeve pa kriter dhe jashtë standardeve. Edhe një copë rrugice kthehet në një minifushë futbolli përkohësisht, pronarët e makinave ankohen se me lojërat me top mund t’u dëmtojnë makinat apo thyejnë xhamat ndaj dhe sherret mes banorëve bëhen prezente dhe në jo pak raste me pasoja jo të mira deri në skandale me pasoja jete. Nëse shoqëria shqiptare është e mbushur me shumë probleme të rënda dhe me kriminalizime, ato kanë një ndikim të drejtpërdrejt në jetën e fëmijëve që përjetojnë me shumë negativitet realitetet e jetës së tyre, ndaj edhe në jo pak raste fëmijët kapen nga krimi dhe bëhen kontingjente të grupeve kriminale, duke u rritur si fëmijë me probleme në jetën e tyre të mëtejshme.
E kujtoj me shumë të drejtë profesorin Bedri Dedja që shprehte që në atë kohë se fëmijët po mbeten pa shijuar fëmijërinë e tyre dhe sot ata po mbeten edhe pa edukimin familjar, ku “edukimi” i vetëm është bërë teknologjia: celulari dhe rrjetet sociale, që më shumë tërhiqen nga degjenerimi moral se sa edukimi njerëzor. Bashkitë e qyteteve nuk kanë asnjë program apo interesim për të krijuar mundësi për zbavitjen e fëmijëve. Që të luajnë fëmijët me lodra do të duhet të futen në ndonjë lokal me kënde lodrash që kushtojnë dhe që jo kushdo e ka mundësinë.
Fjalimet e politikës janë bërë bajate sepse flasin për gjithçka, por jo për mundësinë për të argëtuar fëmijët që mbeten pa shijuar fëmijërinë ose janë kthyer në kontingjente të narkomanëve, që i përdorin për pesë lekë për tu bërë shpërndarës drogash dhe duke marrë veset më të këqija në jetën e tyre. Kur e pyetën një nënë se përse fëmija e saj ishte i veçantë, ajo u përgjigj me qetësi dhe siguri për ato që tha: fëmija im është si të gjithë fëmijët e tjerë. Por unë ju them se shtëpia është vendi ku edukohet me vëmendje fëmija, kurse shkolla është vendi ku mësohet; bisedoni me fëmijën tuaj që ta dëgjosh se çfarë thotë dhe se çfarë i thua dhe i shpjegoni fëmijës suaj gjithçka sinqerisht dhe seriozisht çfarëdo pyetje që bën; mos qeshni shumë në sytë e fëmijës suaj; mos i lini fëmijët t’i edukojnë gjyshërit, sepse ata i përkëdhelin së tepërmi, fëmijën tuaj edukojeni ju vetë; vëreni fëmijën tuaj në angazhime dhe punë për moshën e tij dhe stimulojeni atë; i kërkoni t’ju shpjegojë gjithçka që ka bërë gjatë ditës dhe qortojeni me kujdes kur vjen rasti.
/Gazeta Panorama