Një rrezik i lartë i urisë vazhdon në Gaza dhe situata mbetet katastrofike, ndërsa lufta midis Izraelit dhe Hamasit vazhdon. Një raport i publikuar nga Klasifikimi i Sigurisë Ushqimore të Integruar (IPC), i cili vlerëson pasigurinë ushqimore globale dhe kequshqyerjen, paralajmëroi se pothuajse e gjithë Gaza do të përballet me urinë brenda tre muajve të ardhshëm.
Agjencia e ushqimit e OKB-së paralajmëroi më herët se Gaza jugore mund të shohë së shpejti të njëjtat “nivele katastrofike të urisë” të regjistruara më parë në veri, ku Izraeli përqendroi ofensivën e tij ushtarake në ditët e para të luftës. Të paktën, 34 fëmijë kanë vdekur tashmë nga kequshqyerja në Gaza, njoftoi zyra e medias qeveritare. Numri i vërtetë mund të jetë më i lartë, pasi aksesi i kufizuar në Gaza ka penguar përpjekjet e agjencive të ndihmës për të vlerësuar plotësisht krizën atje. Më shumë se 50.000 fëmijë kërkojnë trajtim për kequshqyerjen.
“Të dhënat më të fundit tregojnë se, për të qenë në gjendje të blinin ushqime, më shumë se gjysma e familjeve duhej të ndërronin rrobat e tyre me para dhe një e treta mbledhin plehra për t’i shitur. Më shumë se gjysma gjithashtu raportuan se, shpesh, nuk kanë ushqim për të ngrënë në shtëpi dhe mbi 20 për qind kalojnë ditë dhe net të tëra pa ngrënë”, thuhet në raport.
Lufta e Izraelit në Gaza ka varfëruar sistemin shëndetësor gjithashtu, duke e lënë stafin të paaftë për të trajtuar fëmijët e kequshqyer. Mjekët thanë për CNN se po detyrohen të largojnë prindërit që kërkojnë qumësht për foshnjat. Izraeli sakaq vazhdon rrethimin e tij në Gaza, duke penguar grupet e ndihmës që të marrin ushqim të mjaftueshëm në enklavë dhe prindërit thonë se nuk kanë zgjidhje tjetër veçse të shikojnë fëmijët e tyre të vdesin nga uria.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co