Sergei Romanishin u bë futbollisti i parë ukrainas që fitoi titullin në elitën e futbollit shqiptar. Bëhet fjalë për vitin 2002, kur Romanishin, triumfoi me Dinamon, teksa kjo nuk ishte eksperienca e vetme në futbollin shqiptar, teksa u aktivizua edhe në radhët e Vllaznisë, Besës, Shkumbinit dhe Skënderbeu.
Tashmë 49-vjeç, ish-futbollisti ukrainas jeton në Kanada, ndërkohë që ka dhënë një prononcim për Sport.ua, në prag të duelit special mes Shqipërisë dhe Ukrainës, teksa nuk ka nguruar të bëjë edhe një parashikim.
“Nuk do të jem origjinal kur them se kombëtarja shqiptare ka qenë në sy të publikut vitet e fundit. Nuk ka asnjë krahasim mes nivelit aktual të kampionatit shqiptar dhe kohës kur duhet të luaja atje. Progresi është i dukshëm.
Sa i përket kombëtares shqiptare, ecuria e saj mund të shpjegohet me faktin se shumë futbollistë vendas janë kthyer në lojtarë të huaj dhe po shtohen me shpejtësi në numër, duke mbrojtur ngjyrat e klubeve të huaja. Dhe stafi stërvitor i kombëtares shqiptare ka shumë alternativa për të zgjedhur.
Një provë e vështirë e pret ekipin ukrainas në Tiranë. Për më tepër, skuadra e Sergei Rebrov nuk ka luajtur mirë në ndeshjet e fundit dhe për këtë arsye nuk do të jetë favorit. Megjithatë, falë karakterit të tyre më të fortë dhe përbërjes më të barabartë, ukrainasit duhet të mbizotërojnë. Parashikimi? Nuk do të ketë shumë gola – 1-0”, u shpreh ai.
PANORAMASPORT.AL