Shqiperia

Fitorja e thellë e Vangjel Tavos/ Si arriti PS të rekuperonte në çdo zonë, në Njësinë e Himarës u rrit me 556 vota, dominim absolut në Lukovë dhe Vranisht

fitorja e thelle e vangjel tavos si arriti ps te rekuperonte ne cdo zone ne njesine e himares u rrit me 556 vota dominim absolut ne lukove dhe vranisht
fitorja e thelle e vangjel tavos si arriti ps te rekuperonte ne cdo zone ne njesine e himares u rrit me 556 vota dominim absolut ne lukove dhe vranisht

PS fitoi Bashkinë e Himarës në zgjedhjet e pjesshme lokale të ditës së diel me një diferencë të thellë. Kandidati socialist Vangjel Tavo triumfoi përballë Petraq Gjikurisë të koalicionit “Bashkë Fitojmë” të mbështetur nga PD dhe PL, me afro 1500 vota më shumë. Rezultati i konfirmuar në orët e para të mëngjesit të kësaj të hëne u paralajmërua pak minuta pasi dje u mbyllën qendrat e votimit. Flamur Noka dhe Vangjel Dule ngritën akuza për manipulime kur numërimi nuk kishte nisur.

Por si arriti PS te kjo fitore me 1500 vota më shumë kur në 14 Maj 2023 e humbi Bashkinë e Himarës për 19 vota?

Socialistët fituan bindshëm në Njësinë Administrative Horë Vranisht dhe Lukovë. Por në fakt, në Njësinë Administrative Himarë u sigurua nga PS edhe numri më i madh i votave, krahasuar me 2023, duke bërë diferencën krahasuar me një vit më parë.

Në një analizë të thjeshtë elektorale vihet re se Partia Socialiste dhe kandidati Vangjel Tavo kanë performuar shumë mirë në të treja njësitë, ndërsa ndryshim krahasuar me rezultatin e 15 muajve më parë duket se ka thuajse në çdo qendër votimi.

Analiza e shifrave, ja çfarë ndodhi konkretisht

Njësia Administrative Horë Vranisht
Në njësinë administrative më të vogël, atë të Hore Vranishtit, Partia Socialiste më 4 gusht ka marrë një rezultat tenistik, 1165 ose 89.2%, kundrejt 141 votave të kundërshtarit (10.8%). Megjithatë rezultati me një diferencë thuajse të tillë ishte edhe 14 majin e 2023-shit, kur PS mori 83.6%, ndërsa PD 16.4%. Rezultati është më i mirë për socialistët që kanë rritur votat e tyre me 193 të tilla, vjen edhe si rezultat i rritjes së pjesëmarrjes. Në 2023 kanë marrë pjesë 1187 zgjedhjes, ndërsa një ditë më parë votuan 1326. Në këtë njësi Partia Demokratike ka rënë me 50 vota (191 në 2023, 141 më 4 gusht).

Njësia Administrative Lukovë
Në 12 qendrat e votimit në Lukovë Partia Socialiste ka rritur ‘portofolin’ e votave me 455 vota. Tavo është votuar nga 1725 qytetarë, ose 64.7%, ndërsa Goro 15 muaj më parë pati marrë 1270 vota (51.4%). Rritja në përqindje e PS në këtë njësi si rezultat i rënies së ndjeshme të Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj. 14 majin e vitit 2023 koalicioni “Bashkë Fitojmë” mori 1200 vota ose 48.6%, ndërsa më 4 gusht mori vetëm 942 vota ose 35.3%, pra një rënie prej më shumë se 13%. Në Njësinë Administrative Lukovë pjesëmarrja në zgjedhje nuk pati ndonjë lëvizje të madhe, 2470 votuan në 2023 dhe 2667 votuan në 2024.

Njësia Administrative Himarë
Tani të vijmë te Njësia Administrative Himarë, e cila përfshin qytetin dhe fshatrat përreth. Edhe pse në këtë njësie kandidati i opozitës fitoi, performimi i Partisë Socialiste ka qenë surprizues. PS ka marrë plot 556 vota më shumë sesa në zgjedhjet e kaluara, 1576 vota në 2023 dhe 2132 vota më 4 gusht. Pra socialistët kanë rikuperuar në rezultat më shumë se 7%, pasi kishin marrë vetëm 39% në vitin 2023, ndërsa morën 46.4% një ditë më parë. Nga ana tjetër koalicioni Bashkë Fitojmë i Berisha-Meta në Himarë kanë mbetur thuajse në vend sa i përket numri të votave, 2446 më 14 maj 2023 përkundrejt 2462 më 4 gusht 2024. Beleri kishte fituar me 61% të votave, ndërsa Gjikuria mori 53.6%. PS e ka ngushtuar shumë diferencën e një viti më parë, që ka qenë 870 vota mes Belerit dhe Goros, ndërsa në zgjedhjet e së dielës ishte 330 vota mes Tavos dhe Gjikurias.

Bashkia Himarë (Të treja njësitë administrative përbërëse)
Përgjatë numërimit të 36 kutive të Bashkisë Himarë si të tërë, PS nuk e vuri asnjëherë në diskutim epërsinë në vota. Kutitë e para u hapën ato të Horë Vranisht dhe Lukovës. Kandidati socialist Vangjel Tavo udhëhoqi me numër votash që të kutia e parë e deri te e fundit.  Në total në të gjithë bashkinë e Himarës Partia Socialiste ka rikuperuar thuajse 9 pikë ndaj koalicionit të Partisë Demokratike. 14 majin e vitit 2023 kandidati i PS humbi me 49.9% të votave (3821 vota), ndërsa në zgjedhjet e të dielës fitoi me 58.6% (5022 vota), kundrejt 41.4% të kundërshtarit (3545 vota).

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

Similar Posts