Flamurtari-Barcelona, veteranët spanjollë “manita” në Vlorë. Kushta në tribunë: Nuk më ftuan

flamurtari barcelona veteranet spanjolle manita ne vlore kushta ne tribune nuk me ftuan



































Në Vlorë përsëritet nostalgjia dhe historia. Pas 38 vitesh, në stadiumin “Flamurtari” u luajt ndeshja Flamurtari-Barcelona, por kësaj here miqësore. Dy skuadrat u përballën në 17 shtator 1986 në Vlorë, në turin e parë të Kupës UEFA, takim që përfundoi me golat e Vasil Rucit në minutën e 67-të dhe Esteban Benitez në minutën e 88-të.

flamurtari barcelona veteranet

Por në këtë miqësore dy legjendat nuk shënuan dot për shkak edhe të moshës. Të dyja skuadrat kishin në përbërjen e tyre disa nga titullarët dhe futbollistët e stolin të atëhershëm, si dhe lojtarë të rinj. Miqësorja zgjati 60 minuta, ndërsa secila pjesë është luajtur 30 minuta. Kreshnik Çipi ishte kapiten për vlonjatët, ndërsa Esteban Benitez për spanjollët. Topi i parë shkelmohet nga Vasil Ruci. Barcelona e nis në sulm dhe është Esteban që rrezikon. Spanjollët duken më të freskët ndërsa Lekbello bëhet hero në minutat e para teksa shmang një gol të sigurt të Kristan Gonzales. Miqtë janë kërkues dhe do të zhbllokonin shifrat shumë shpejt në minutën ne 7-t, me anë të Delgato. Pas shënimit të golit, Lekbello, Memushi dhe Gjondeda dalin nga fusha e lojës për shkak të lodhjes. Flamurtari kërkon që të organizohet. Në portë aktivizohet Naço për vlonjatët. Karrikondo rrezikon me një top mbi tra. Trajneri Saimir Haxhiu hedh në fushë edhe Roland Nenajn dhe Halim Begajn, ky i fundit rrezikon portën spanjolle në një rast.

Serxhi Martinez do të shënonte edhe golin e dytë për Barcelonën në minutën e 16-të. Flamurtari e ka të vështirë ta përballojë furinë e Barcelonës. I vetëm në sulm, Xhafa përpiqet që të vendos në vështirësi Llevarian. Çerçizi gabon me një goditje nga jashtë. Ndërsa një top i Esteban përfundon në duatë e portierit vlonjat. Në fushë për kuqezinjtë edhe Gentjan Mezani. Çerçizi pretendon për penallti, por nuk është i këtij mendimi gjyqtari Kola. Largohet Naço dhe Halilaj pozicionohet në portën e vendasve. Nenaj kërcënon me një goditje të bukur, por prek vetëm shtyllën.

Manga dhe Plepi aktivizohen për kuqezinjtë. Esteban sa nuk shënon, por topi përfundon në traversë. Korrikondo do të shënonte edhe të tretin në vetëm 21 minuta lojë. Pas golit largohet nga fusha e lojës Esteban. Mjeku Sotiraq Petro futet në fushë për mjekimin e Çerçizit që u dëmtua nga Obon, ndërsa ky i fundit ndëshkohet me të verdhë. Për Barcelonën në fushë hynë Delgato ndërsa për Flamurtarin Ergi Ziaj, djali i Alfred Ziajit. Një minutë përpara përfundimit të pjesës së parë Tan Kuentes do të shënonte edhe golin e katërt. Dorëzohet Flamurtari dhe pjesa e parë do të mbyllej me rezultat të thellë për miqtë, 0-4.

PJESA E DYTË – Në nisje të pjesës së dytë Çerçizi humb një mundësi të mirë shënimi. Fakaj dhe Mezani hyjnë në lojë, në përpjekje për të ndryshuar diçka. Halim Begaj nga krahu i majtë godet fort, por pret portieri Moreno. Portieri Erion Dine zëvendëson Halilajn. Flamurtari shpëton nga goli i pestë pasi Martinez prek shtyllën. Në pjesën e dytë kemi një Barcelonë B, të brezit të viteve 1990-2000. Spanjollët e kishin vlerësuar në maksimum këtë takim. Çerçizi shënon, por goli anulohet për pozicion jashtë loje. Nenaj humb një shans të artë shënimi. Çerçizi gabon sërish. Barcelona vihet në vështirësi nga Xhafa dhe Nenaj që prekin dhe shtyllën. Në minutën e 52-të, Fernandes dërgon shifrat në 0-5 duke mposhtur portierin Agron Sinanaj. Pesë minuta më vonë, Çerçizi fiton një penallti. I besohet Nenajt që gjuan saktë dhe shënon golin e nderit dhe në shifrat 1-5 përfundoi takimi. Në muajt në vijim, Flamurtari do të udhëtojë drejt Barcelonës për ndeshjen e kthimit.

Tri ditët e katalanasve

Jo vetëm ndeshje dhe nostalgji. Tri ditët e Barcelonës në Vlorë ishin të ngjeshura me aktivitete. Mbrëmjen e së premtes futbollistët darkuan në një nga hotelet në “Lungomare” me prodhime deti. Të shtunën paradite zhvilluan disa guida, ndërsa vizituan Llogoranë, Zvërnecin dhe Kuzum Babanë. E shtuna në darkë pas ndeshjes rezervoi një darkë me muzikë live. Ndërsa të dielën, gjatë ditës, kanë vizituar zona të ndryshme të qytetit të Vlorës. Në orët e mbrëmjes u nisën nga Rinasi drejt Spanjës.

Për spanjollët

Bashkia akordon titullin “Mirënjohje”

Bashkia e Vlorës i akordon titullin “Mirënjohje” Barcelonës. Dekorata së bashku me certifikatën iu dorëzua kapitenit Esteban Benitez nga kryetari i Bashkisë Vlorës, Ermal Dredha. “Kjo ndeshje është ‘qershia mbi tortë’, duke parë edhe atë që po bëjmë këtë vit. Një event i tillë ndodh rrallë në qytet, plot me emocion, pasi kthehemi mbrapa në kohë për t’u ndier krenarë për atë që kemi bërë. Këta legjenda i kemi pasur idhuj, kemi jetuar me ta dhe na kanë frymëzuar. I kanë treguar këtij qyteti që ne mund të jemi të gjallë shpirtërisht. Jemi shumë të kënaqur për këtë event të zhvilluar këtu në Vlorë”, u shpreh kryebashkiaku Dredha në fjalën që mbajti gjatë aktivitetit.

kryebashkiaku dredha

Vasil Ruci: Ëndërr e bukur

Vasil Ruci, një nga organizatorët e takimit, e cilëson një ëndërr të bukur Barcelonën në Vlorë. “Ishte ëndërr e bukur. Ëndrra që të zgjojnë çdo moment. Jam përpjekur të bëj diçka të bukur për qytetin dhe për historinë tonë. Ky aktivitet bëri bashkë historinë dhe nostalgjinë dhe të dyja bashkë tregojnë emocionet që janë modeste. Njerëzit e Vlorës duhet të mësojnë historinë. Kënaqësi për ne dhe për popullin e Vlorës. Do të kemi dhe aktivitete e tjera që janë surprizë”, përfundon Ruci.

Haxhiu: Ndeshje për model

Saimir Haxhiu ishte trajneri i Flamurtarit në këtë ndeshje. Haxhiu flet për mesazhin që kërkonte të përcillte ky aktivitet. “Në formacionin e parë ishin ata që luajtën me Barcelonën dhe më pas vazhduam me brezat e ndryshëm. Kishim dëshirë dhe seriozitet që të nxirrnim një ndeshje të bukur. Qëllimi ishte që fëmijët e Vlorës të kenë modele. Këto janë modele shumë të mira, që në fanella të mos vendosin Ronaldon dhe Mesin por Çipi dhe Vasi Rucin”, shprehet Haxhiu.

Nostalgji

Bentiez e Puig: Të kënaqur që u rikthyem sërish në Vlorë

Esteban Benitez shënoi golin e barazimit në Vlorë 38 vite më parë. Kapiteni flet për emocionet që përjetoi, por kthehet edhe pas në kohë. “Erdha duke pasur në memorie herën e parë këtu në Vlorë. Erdha me idenë e asaj kohe dhe pak si i befasuar. Këtë herën e dytë erdha me më shumë dëshirë, duke kujtuar edhe periudhën kur kemi luajtur bashkë. Ndeshja atëherë ishte shumë drithëruese dhe kualifikimi u arrit fal golit tim, dua ta them këtë…(qesh). Jam shumë i lumtur që vij edhe një herë në këtë ambient. Herën e fundit kam qenë para 6 muajsh bashkë me Salvon për 100 vjetorin e Flamurtarit. Jam shumë i kënaqur dhe falënderues për organizatorët”, u shpreh Esteban Benitez. Edhe Salvador Gracia Puig është një nga ata që luajti përballë Flamurtarit të madh. Ai flet për takimin e 38 viteve më parë. “Për ne ishte shumë e veçantë dhe interesante që të vinim në Shqipëri. Ishte një vend i panjohur tërësisht. Luajtëm në një ndeshje, që ishte në një stadium të mbushur cep më cep, në një ndeshje shumë të fortë dhe e luftuar. Pas atij takimi që ishte shumë i fortë, pas dy ditësh nuk fituam, por humbëm. E fituam ndeshjen e parë. Për ne ishte shumë e rëndësishme të fitonim sot”, u shpreh Puig.

Ish-sulmuesi

Kushta pa ftesë, thumbon Rucin e shoqatën për “harresën”

Sokol Kushta ishte në stadium për të parë ndeshjen si spektator. Ai nuk kishte një ftesë dhe për këtë gjë ka keqardhje. “Ndihem i lumtur pavarësisht se e mora vesh nga “Facebook”-u. Jam i lumtur që erdhi Barcelona në Vlorë, qoftë edhe simbolike kjo, por Vasili me shoqatën kështu e mendojnë… Unë jam pak më…, jo serioz por i rregullt. Doja qoftë edhe një ftesë, pasi ky nuk është klubi “Flamurtari”, është shoqata. Megjithatë i lemë këto, pasi janë gjëra personale. Këta njerëz vijnë vetëm për të parë atë nostalgji të vitit 1986. Unë dua të them diçka. Në vitin 1986, unë isha në formacion, por nga që luaja te Partizani ata menduan se na zbuluan. Që të mos dënoheshim nuk u aktivizova në ndeshjen e parë. Megjithatë ajo është nostalgji. Të kesh përballë Barcelonën është ëndërr. E mbyllim me këtë fjalën e ëndrrës dhe çdo gjë e përmbledh”, përfundon Kushta.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co

dsaadmin

Learn More →