Të paktën 12 lojtarë që kontribuan në sezonin e fundit në Vlorë do të quhen të larguar nga Flamurtari. Për arsye të ndryshme, klubi apo edhe ata vetë nuk kanë pranuar që të rinovojnë kontratën, për të qëndruar edhe të paktën një sezon në Vlorë.
Sapo përfundoi sezoni, klubi u dha “dorën” disa lojtarëve, që sipas drejtuesve kishin dalë jashtë pritshmërive dhe më shumë kanë ecur në fushë se sa kanë “luftuar”. E ndërsa dihej se për shkak të dështimit të sezonit, por edhe ato personale, do të largoheshin Sebastian La Torre, Antoni Beji, Gustavo Benjumea dhe Marko Kriviçiç, disa lojtarë të tjerë habitën me largimin. Mes tyre ishin Indio Oliveira, Erlis Frashëri dhe Aldo Teqja. Mësohet se ata kërkuan rritje page, siç konfirmojnë edhe burime pranë klubit, por që kjo kërkesë nuk u plotësua nga drejtuesit për shkak të daljes jashtë objektivit. Lista e largimeve pritet të jetë edhe më e gjatë se kaq. Disa futbollistë të tjerë duket se kanë dalë edhe jashtë pritshmërive në klub.
LARGIMET E FUNDIT – Edhe pse u rikthye në Vlorë pas 6 vitesh dhe do të qëndronte të paktën 2 sezone, klubi ka vendosur që të ndërpresë bashkëpunimin me Lancinet Sidibe. Burime pranë klubit thonë për “Panorama Sport”, se me 27-vjeçarin nga Guinea është prishur kontrata dhe se ai nuk është më në planet e Flamurtarit. Shkaqet se përse ai është larguar nuk dihen. E ndërsa kanë nisur seancat stërvitore, vihet re mungesa edhe e katër lojtarëve të tjerë. Behar Ramadani, Ermal Vitija, Erjon Vucaj dhe Fjoralb Deliaj nuk i janë bashkuar grupit në stërvitje. Burime pranë klubit, thonë se rrugët mund të quhen të ndara edhe me Ramadanin dhe kosovarin Vitija, apo edhe me Erion Vucajn. Ndërsa me Fjoralb Deliajn nuk është konfirmuar ende ndërprerja e bashkëpunimit. Pritet që të shihet në ditët në vijim, nëse do të rikthehet ndonjë nga të larguarit, pavarësisht se ka shumë pak shanse që kjo të ndodhë.
ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co