Kombëtarja shqiptare udhëtoi pasditen e djeshme drejt Pragës në kuadër të ndeshjes kundër Ukrainës, që luhet të shtunën më 7 shtator, në stadiumin “Epet Arena”, në orën 20:45.
Mësohet se me skuadrën kanë udhëtuar të gjithë lojtarët e grumbulluar dhe me të mbërritur në Pragë kuqezinjtë u akomoduan menjëherë në hotel. Ndërkohë, përpara nisjes nga Tirana, paradite Silvinjo zhvilloi me skuadrën një seancë të lehtë stërvitore, ndërsa grupi gëzon shëndet të plotë dhe asnjë nga futbollistët nuk ndjen shqetësime.
Sot pasdite, braziliani pasi të dalë në konferencë për shtyp, do të zhvillojë edhe një seancë të fundit në stadiumin e ndeshjes, e cila më shumë është që kuqezinjtë të mbajnë muskujt në tonus.
FORMACIONI – I kushtëzuar nga dy mungesat në prapavijë (Gjimshiti dhe Ajeti), Silvinjo do t’ua besojë Marash Kumbullës dhe Ardian Ismajlit qendrën e mbrojtjes, ndërsa pjesa tjetër e lojtarëve, pritet të jenë ata futbollistë që luajtën titullar në ndeshjen kundër Kroacisë në Kampionatin Europian.
Në portë do të jetë Tomas Strakosha, ndërsa Kumbullën dhe Ismajlin do ta shoqërojë në mbrojtje, Hysaj nga krahu i djathtë dhe Mitaj nga e majta. Përpara tyre do të jetë treshja e mesfushës me Ylber Ramadanin, Kristjan Asllanin dhe Qazim Laçin, i cili ka spostuar Nedim Bajramin në krahun e majtë.
Kjo do të thotë që Arbër Hoxha do ta nisë nga stoli, pavarësisht formës së mirë që po kalon, Silvinjo është specifik në disa gjëra dhe në krahun e djathtë do të jetë Jasir Asani. Si Bajrami dhe Asani do të mbështesin përpara Rei Manajn që me shumë mundësi do të jetë ai që do ta nisë nga minuta e parë takimin.
Megjithatë, ky është një formacion i mundshëm nga ajo që jemi munduar të kuptojmë në stërvitjen e Silvinjos dhe nuk përjashtohen ndryshime sa u përket emrave.
KRISTI SEJATLLARI – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co