Dramë, lot gëzimi, por dhe lot hidhërimi. 2 nga 3 biletat e fundit për në “Euro2024” u vendosën nga ruleta e penalltive. Feston Ukraina, Polonia dhe Gjeorgjia, tre ekipet e fundit që udhëtojnë për në Gjermani. Polonia bëhet ekipi i tretë nga grupi i Shqipërisë që kalon në Evropian, duke vërtetuar edhe një herë peshën e kualifikimin spektakolar të Shqipërisë në “Euro2024”.
Lewandowski me shokë thyen Uellsin nga pika e bardhë e penalltisë, në një kohë kur koha e rregullt dhe shtesa përfundoi në barazim pa gola. Nga 11 metra distancë, Polonia u tregua perfekte duke realizuar saktë 5 nga 5 penalltitë. Për Uellsin gaboi vetëm Daniel James, talenti i Leeds United. Polonia do të jetë pjesë e Grupit D së bashku me Holandën, Austrinë dhe Francën.
Në luftë, por populli ukrainas kishte një arsye për të festuar të martën teksa mposhtën me përmbysje Islandën duke u kualifikuar në “Euro2024”. Gudmundsson kaloi ishullorët në avantazh në minutën e 30-të, por me fillimin e pjesës së dytë, në minutën e 54-ët, Ukraina barazoi shifrat në 1-1. Mudryk, sulmuesi i Chelsea-t realizoi golin e fitores në minutën e 84-ët. Në “Euro2024”, Ukraina do të jetë pjesë e Grupit E së bashku me Belgjikën, Sllovakinë dhe Rumaninë.
Për herë të parë në histori, një biletë për në Evropian siguroi edhe Gjeorgjia. Të udhëhequr nga Kvara dhe me një lojtar më pak që në fundin e pjesës së parë, Gjeorgjia arriti të dërgojë ndeshjen në shtesë. Ishin dhe me fat përballë Greqisë, por në fund, nga ruleta e penalltive u treguan më të saktë duke realizuar 4 nga 5 penallti. Gjeorgjia bën pjesë në Grupin F së bashku me Turqinë, Portugalinë dhe Republikën Çeke.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co