Elon Musk ka mohuar kategorikisht thashethemet për një romancë mes tij dhe kryeministres italiane, Giorgia Meloni, pas takimit të tyre në New York.
“Unë isha me nënën time. Nuk ka absolutisht asnjë marrëdhënie romantike me kryeministren Meloni”, shkroi miliarderi amerikan i teknologjisë në “X”.
Komentet për një lidhje romantike mes Melonit dhe Musk lindën nga një fjalim i veçantë i biznesmenit ndaj kryeministres, në një event në New York, ku ai i dhuroi asaj çmimin Global Citizen Award.
Musk e quajti Melonin si një grua të bukur, ku tha “ajo është më e bukur nga brenda sesa nga jashtë”. Pas komentit të tij, nuk mungoi edhe një reagim i Melonit, e cila e quajti Musk “një gjeni të çmuar”.
Pas këtyre komenteve, filluan të shpërthejnë thashethemet për ta. Një klub global i fansave të Tesla-s postoi një foto të të dyve nga eventi në X, me mbishkrimin: “A mendoni se ata janë bashkë?”
Megjithatë, Musk iu përgjigj postimit të klubit të fansave duke shkruar: “Ne nuk jemi bashkë”.
Biznesmeni amerikan dhe Meloni janë takuar disa herë vitet e fundit dhe kanë shumë të përbashkëta në ideologjinë e tyre konservatore, si shqetësimi i tyre për nivelet e ulëta të lindjeve në Perëndim dhe interesi i tyre për potencialin e inteligjencës artificiale.
Gjithashtu, biznesmeni ka qenë disa herë në Romë dhe ka marrë pjesë në festivalin e partisë politike të Melonit “Vëllezërit e Italisë”, ndërsa njëkohësisht ka vlerësuar qeverinë italiane për politikën e ashpër të emigracionit.