Për herë të 6-të në histori, Real Madrid fiton trofeun e Superkupës së Evropës. Të konkurrosh Realin është shumë e vështirë, aq më tepër tani që në galaktikën e Perez është shtuar edhe një super yll si Kylian Mbappe. “Gjeli” më i famshëm bëri një debutim ëndrrash me fanellën e bardhë, shënoi dhe festoi për trofeun e tij të parë me gjigandët spanjollë.
Ndaj Atalanta-s, ekipi i Carlo Anvelottit fitoi me rezultatin e pastër 2-0, por gjërat nuk ishin kaq të lehta, pasi Gjimshiti me shokë i vendosi jo pak në vështirësi, ku traversa dhe portieri Courtois mbajtën Realin në lojë. Fituesit e Champions, reaguan në fundin e pjesës së parë ku goditën traversën me Rodrigo, ndërsa me fillimin e pjesës së dytë, Valverde gjeti rrugën e rrjetës pas një assisti të pastër nga Vinicius. Në të 68-tën, Bellingham gjeti në zonë Mbappe, me “bomberin” francez që nuk fali duke realizuar golin e dytë, një gol që praktikisht vendosi fatin e këtij takimi pasi Atalanta e kishte të vështirë të rikthehej në lojë, me rezultatin që mbeti i pandryshuar deri në fund.
[embedded content]
Kapiteni Luka Modric ngriti në qiellin e Varshavës trofeun Superkupës së Evropës duke u shndërruar në lojtarin që ka fituar më shumë trofe në historinë e Real Madrid. Ky ishte një trofe i veçantë edhe për Carlo Ancelotti, i 14-ti me Realin duke barazuar Migel Munoz, si trajneri më fitues, i 30-të në karrierën e tij, për herë të 5 fiton Superkupën duke kaluar Pep Guardiola-n, shifra që e shndërrojnë Don Carlon në një legjendë.
“Superkampion me Mbappe”, shkruan AS në faqen e parë, ndërsa në Itali, të përditshmet sportive janë ndalur te suksesi i Carlo Ancelottit.
(BalkanWeb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co