Profesori i letërsisë Bashkim Kuçuku, i ftuar në rubrikën Opinion në News 24 deklaroi se Ismail Kadare ishte një kolos i letrave shqipe.
Kuçuku tha se francezët e lexonin Kadarenë në metro, në stacione autobusësh, duke qenë mjaft i preferuar prej tyre. Sipas tij, Kadare bënte letërsi ndryshe dhe të re, si dhe ka një rol tepër të madh në europianizimin e kulturës shqiptare.
Profesor Doktor Bashkim Kuçuku: Jemi rritur me letërsinë e Ismail Kadaresë. Kadare ka qenë kultura që mbante gjallë shqiptarët, ndizte shpresat e qytetarëve. Veprat e Kadaresë ishin tepër të mira, sepse ishin krejt ndryshe. Vepra e Kadaresë të çonte në botë tjetër imagjinare. Ndikimi i Kadaresë nuk ishte vetëm letrar, por i shumëanshëm, ishte shkrimtar që bënte letërsi krejt ndryshe, letërsi të re jo vetëm për letërsinë shqipe, por e re u quajt edhe në Europë. Edhe shkrimtarët e tjerë sollën vlera, sepse ndjenë konkurrencën, pasi Kadare rriti nivelin e letërsisë. Përcjellja e Kadaresë në këtë mënyrë tregon se ne po nderojmë një figurë të madhe të popullit shqiptar. Kultura në Shqipëri kryesisht është e fjetur, ndërsa ky rast ishte ndryshe, që u ndje, pasi humbja ishte e madhe.
Kadare ka europianizuar kulturën shqiptare. Ismail Kadare ka thyer shumë tabu edhe me poezi romantike. Shoqëria jonë fatkeqësisht ka brenda saj dhe smirë e shqiptarët nuk janë mësuar me vlera të mëdha, siç ka bota. Kjo kategori shqiptarësh nuk i do disa gjëra me vlera. Ky është problem i shoqërisë shqiptare, nuk ka të bëjë me Kadarenë. Për çmimin Nobel, duhet të ketë mbështetje të fortë. Nuk e percepton bota që të dalë atdhetari kundër atdhetarit për të mos e marrë Çmimin Nobel. Bosquet thotë se Kadaresë nuk ia dhanë Nobelin se vjen nga një vend i vogël, e thotë hapur. Është kënaqësi si shqiptar kur shihje se Kadarenë e lexonin francezët në metro, në stacione autobusësh.
(d.xh-balkanweb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co