Në raportin e fundit “Vendet në Tranzicion 2024”, të publikuar nga organizata Freedom House përveç mungesës së lirisë të mediave, evidentohen dhe problematika sa i takon sistemit të drejtësisë. Sipas organizatës, korrupsioni vazhdon të mbetet dukuri shqetësuese në Shqipëri.
Vlerësimi i përgjithshëm i organizatës për Shqipërinë mbetet i pandryshuar nga viti i kaluar, duke e cilësuar si një vend me sistem hibrid të qeverisjes.
“SPAK-u gradualisht përmirësoi rezultatet e hetimeve të rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë dhe ngriti akuza kundër një numri politikanësh kryesorë në Shqipëri në vitin 2023, duke u bërë njëri nga institucionet e pakta funksionale të drejtësisë dhe prokurorisë në vend, ndërkohë që procesi i vetingut në Shqipëri vazhdoi edhe gjatë vitit 2023″, thuhet në raport. Raporti i referohet hetimeve të SPAK-ut ndaj ish kryeministrit Sali Berisha për korrupsion, për të cilin ai është shpallur non-grata nga SHBA dhe Britania e Madhe dhe shton se krahu i tij politik “është shndërruar në një grup të dhunshëm, që duket se dëshiron të destabilizojë vendin, duke e bërë arrestimin e tij lajm të mirëpritur për shumë njerëz.”. Sipas raportit, “pas hetimeve dhe akuzave të SPAK-ut ndaj Berishës dhe Ahmetajt, si dhe ekspozimit të lidhjeve ndërmjet disa grupeve të krimit të organizuar me biznese, politikanë dhe agjenci të rendit” është vënë re “një fushatë në rritje dezinformimi nga disa portale dhe nga figura të larta politike në qeveri dhe opozitë për të diskredituar punën e SPAK-ut.”.
Këto përpjekje të shtuara të SPAK-ut për të hetuar korrupsionin dhe krimin e organizuar të nivelit të lartë, sipas ‘Freedom House’, kanë nxitur sulme ndaj gjykatësve dhe prokurorëve të tij nga të gjitha partitë politike, të cilat vazhdojnë të mos distancohen nga zyrtarët e akuzuar mes radhëve të tyre. “Reagimi negativ nënvizon realitetin se SPAK-u nuk mundet të luftojë korrupsionin në nivelet më të larta i vetëm dhe se është e rëndësisë jetike për demokracinë në Shqipëri, që partitë politike t’i largojnë ata që janë të përfshirë në korrupsion dhe që kanë një të kaluar që minon sundimin e ligjit dhe demokracinë”, thuhet në raport.
(BalkanWeb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co