Partia Republikane pritet të emërojë zyrtarisht zotin Donald Trump si kandidat për president këtë javë, disa ditë pasi ai i mbijetoi një atentati në një tubim politik. Tashmë masat e rrepta të sigurisë pritet të shtohen në Milwaukee, ku do të mbahet Kuvendi Kombëtare Republikan. Korrespondentët e Zërit të Amerikës, Jorge Agobian dhe William Gallo folën me delegatë të kuvendit dhe banorë të Milwaukeet, të cilët janë të shqetësuar për mundësinë e më shumë trazirave.
Një nga aktet më të rënda të dhunës politike në Shtetet e Bashkuara në dekada – ish-presidenti Donald Trump u qëllua në vesh gjatë një tubimi në Pensilvani.
Zyrtarët e FBI-së e quajnë atë një përpjekje për vrasjeje, duke thënë se i dyshuari është një i ri 20-vjeçar nga Pensilvania i quajtur Matthew Crooks.
“Aktualisht nuk kemi një motiv të identifikuar, megjithëse hetuesit tanë po punojnë pa u lodhur në përpjekje për të gjetur motivin”, tha agjenti Rojek.
Vëmendja tani zhvendoset në Milwaukee, ku zoti Trump do të emërohet si kandidati presidencial i partisë së tij javën e ardhshme. Masat e rrepta të sigurisë janë shtuar përpara arritjes së zotit Trump.
Zëri i Amerikës bisedoi me banorë të cilët thonë se janë të shqetësuar.
“Mendoj se do të bëhet më keq sesa tani. Dua të them, ata mbyllin rrugët çdo orë. Nuk e di nga po shkojnë… kur ai të arrijë këtu, gjithçka do të mbyllet, kam frikë”, thotë James Houser.
“Pres që të jetë i sigurt, por kurrë nuk i dihet. Dua të them, kush do ta kishte menduar – të gjitha tubimet dhe të gjitha vendet ku ka qenë presidenti Trump që nga viti 2015 kush shpalli kandidaturën për herë të parë… dhe është e frikshme, kur e mendoni. Ishte një goditje në kokë”, thotë Laura Baigert, delegate e zotit Trump nga Tennesi.
Kuvendet politike në Shtetet e Bashkuara që mbahen çdo katër vjet, janë një shans për të nxitur mbështetjen për partinë përpara zgjedhjeve presidenciale, por disa shqetësohen për retorikën e nxehtë politike këtë vit.
“Të dyja palët janë fajtore për retorikën e tepruar. Të gjithë duhet të ndalen dhe të pyesin veten, çfarë po bëjnë përmes mënyrës se si sillen dhe si flasin për të çuar përpara institucione të qëndrueshme demokratike”, thotë Alex Grey, ish-zyrtar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të zotit Trump.
Shumë tani janë të shqetësuar se çfarë do të ndodhë më pas, si pasojë e të shtënave të së shtunës.
“Kam argumentuar diku tjetër se ka të ngjarë të shohim dhunë politike në të gjithë spektrin në këtë cikël zgjedhor. Natyrisht, kjo është ngjarja më e rëndë deri tani. Por, nuk mendoj se ka ndonjë arsye për të besuar se kjo është dhuna e fundit që shohim”, thotë Jacob Ware, Këshilli për Marrëdhëniet Ndërkombëtare.
Presidenti Joe Biden tha se foli me zotin Trump pas sulmit, duke thënë se nuk ka vend për atë që ai e quajti dhunë politike “të nevertishme”./ VOA
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co