Eksportet e mallrave ranë me 23 për qind në tremujorin e parë të këtij viti, në nivelin e 95 miliardë lekëve, bëhet e ditur nga bilanci i tregtisë së jashtme që u publikua të mërkurën nga Instituti i Statistikave. Rënia vjetore me 23% u shkaktua nga rënia në eksportet e tekstileve dhe këpucëve dhe të sektorit të energjisë. Eksportet këtë tremujor janë më të ulëtat e shënuara që nga tremujori i parë i vitit 2021.
Rënia më e madhe duket se vjen si rrjedhojë e ftohjes së mëtejshme të çmimeve të energjisë në tregun ndërkombëtar në krahasim me një vit më parë. Grupi “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” pësoi rënie 43% në eksporte dhe 25 për qind në importe.
Një pjesë e rënies së eksporteve është për shkaqe matematikore dhe joreale, konkretisht, për shkak të forcimit të lekut përgjatë vitit të fundit. Leku shqiptar është forcuar rreth 9.5% përkundrejt euros dhe dollarit, monedhave kryesore të eksporteve, ndërsa mbajtja e bilancit të tregtisë së jashtme në lekë nënkupton që një euro mall e eksportuar vitin e kaluar është e barabartë me më pak lekë sot. Nëse merret parasysh efekti i kursit të këmbimit, sërish rënia e eksporteve është në nivel dyshifror.
Eksportet e tekstileve dhe këpucëve, sektori më i goditur nga fenomeni i forcimit të pazakontë të lekut kundrejt euros, shënuan rënie vjetore në masën 25.2%. Qeveria ka pranuar se sektori, i cili është aktualisht një faktor i rëndësishëm në punësim, veçanërisht në zonat rurale apo qytezat e vogla ku fabrikat e veshjeve dhe këpucëve janë zhvendosur në masë gjatë dekadës së fundit, po përjeton një krizë të shkaktuar nga kursi i këmbimit dhe ka miratuar një paketë kredish pa interes në masën 40 milionë euro, paketë kjo që nuk dihet nëse mjafton për të kompensuar humbjet nga kursi i këmbimit.
Këtë tremujor rënie pësoi edhe eksporti i ushqimeve, i cili ka qenë përgjatë viteve të fundit sektori më me rritje në eksporte. Rënia gjithsesi në këtë rast ishte vetëm 1%, shifër kjo brenda faktorit të kursit të këmbimit.
Në tremujorin e parë importi i mallrave ishte në të njëjtin nivel me një vit më parë, gjë që sugjeron se rritja dramatike e numrit të udhëtarëve të huaj nuk është konvertuar në ndonjë rritje të konsumit.
Por rënia e eksporteve përkundrejt importeve në nivele të njëjta bëri që deficiti tregtar i vendit të rritet në 114 miliardë lekë ose më shumë se 1.1 miliardë euro. Ky është deficiti tregtar më i lartë që ka njohur vendi në shumë vite. /Birn
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co