NGA ARIAN GALDINI
U bënë shumë vite që qëm toj brenda meje të gjitha ‘Pse’-të, që më vërshojnë kur ballafaqohem me zymtësinë mbytëse me të cilën takohem çdo ditë në këtë vendin tonë të varfër. Lexoj Konicën, Kutelin, Branko Merxhanin, Eqerem Bej Vlorën, Kris Malokun etj., etj., e më duket sikur ata përshkruajnë besnikërisht pothuajse çdo grimcë të kësaj jetës sonë të përditshme. 100 vite duket sikur kanë ngrirë në një fotografi bardh e zi, e asgjë nuk ka ndryshuar përveç emrave, fytyrave dhe kostumeve të personazheve, të cilët i fut me montazh Mjeshtër Koha. Kur këta shkruan para 100 vjetësh, shumë pak duhet t’i kenë lexuar e aq më pak duhet të kenë qenë ata që i kanë përfillur. I lexojmë ne sot, por nuk i përfillim. I lexojmë për t’i përdorur si alibi për fatalitetin tonë historik, e sidomos për të justifikuar përse jemi këta që jemi, këtu ku jemi, kështu si jemi…
Imagjinoni pak kur shkrimtarët e mendimtarët e sotëm, të lexohen pas 100 vjetësh. Do të duken si 200-vjeçarë sepse do të ngatërrohen me ata të fillimshekullit 20, për shkak të ngjashmërisë si dy pika uji të realiteteve. E rrezikshme do të ishte imagjinata se edhe pas 100 vjetësh, këta të sotmit dhe ata të fillimshekullit 20, do të vijonin të lexoheshin si alibi dhe justifikim për dëshpërimin dhe mosbërjen e këtij vendi. Ka diçka që nuk shkon në drejtim orar me këtë vendin e kulturën tonë. Akrepat bëjnë përpara, e fusha e orës bën rrotullim mbrapa. Mjafton të këqyrim dasmat e kremtimet tona, vdekjet dhe ndarjet, luftërat dhe dertet, muzikën dhe përrallat, vallet dhe këngët tona. Të gjitha kanë një mbizotërim të epikes, dhimbnores, të trishtueshmes. Këngët i kemi o sokëllima lufte e burrnie, o ankimime e vajtime për humbjet në jetë e dashuri. Nuk po them se janë të gjitha kështu. Po them se mbizotërohen nga kjo natyrë. Lajtmotivi kryesor që kemi në çdo këngë e përballë është qaramanëria e tipit: Ish ditë e premte, ditë e mallkuar… Këdo e ngado që të pyesësh nëpër Shqipëri, se përse janë gjërat kështu si janë, të gjithë e gjithkund do të të përgjigjen: ‘Fukarallëk–Maskarallëk’.
A thua se ne jemi kombi më i vuajtur e më i varfër i botës gjatë gjithë historisë, që kur Abrahami u bë babai i kombeve… E vërteta është se ne shqiptarët me gjithë historinë tonë plot tragjedi e udhëkryqe madhore, nuk jemi as kombi më i vuajtur e as më i varfër i globit e i kohërave. Andaj unë nuk e kuptoj dot këtë kulturën tonë kaq ankimtare e kaq qaramane. Ne fshihemi kaq shumë pas varfërisë saqë edhe poshtërsitë tona, edhe shitjen e votës, zhbërjen e dinjitetit, çdo djallëzi e skuthëri që bëjmë, i quajmë si natyrale, duke qenë se burojnë nga skamia jonë. FukarallëkMaskarallëk themi e nuk lëmë gjë të ligë a të zezë pa bërë, papranuar, e pajustifikuar.
Teksa dëgjoj e reflektoj mbi këtë filozofi diabolike kombëtare, më kujtohet se Andaluzia ka qene zona më e varfër e Spanjës, por pikërisht në ditët e saj më të zymta i solli si trashëgimi kulturore botës, muzikën dhe kërcimin më të gëzueshëm, që ne e njohim si Flamengo. Para pak ditësh lexova një histori frymëzuese për një fis etiopian. I moçmi i fisit duke iu rrëfyer një studiuesi amerikan, i thotë : “Ne jemi njerëzit më të varfër në botë sepse jetojmë veç me shkretëtirën dhe asgjë, por edhe jemi njerëzit më të gëzuar në botë, sepse i gëzohemi njëri-tjetrit, të parëve tanë, qiellit dhe tokës, yjeve dhe Zotit, jetës, dashurisë dhe fëmijëve tanë. Ne as i zemërohemi, as e mallkojmë dhe as i ankohemi varfërisë sonë. Ne besojmë se sa jemi gjallë, këngët tona shkojnë lart në qiej. Kur vdesim, shpirtrat tanë u bashkohen këngëve tona që kemi kënduar sa kemi qenë në jetë. Çfarë shkon lart në qiej zbret si fat mbi fëmijët, nipërit e stërnipërit tanë, mbi të nesërmen. Kur këngët tona dhe shpirtrat tanë shkojnë lart në qiej me zemëratë, mllefe, vajtime, mallkime, pengje, lëngata e ankime, me të tilla ngopje na shprazen qiejt mbi fëmijët, nipërit, stërnipërit tanë dhe mbi të nesërmen. Kur këngët tona dhe shpirtrat tanë ngjiten në qiej plot gëzim e hare, është e sigurt se mbi fëmijët, nipërit, stërnipërit tanë dhe mbi të nesërmen, do të bien veç bekime e mirësi. Ne nuk i shmangemi, zemërohemi, e as e mallkojmë, as ankohemi për varfërinë. Ne jetojmë nën parimin: Varfëria-Fisnikëria…”.
Rrëfimi i të moçmit etiopian më ka tronditur krejt botëkuptimin tim dhe më ka sfiduar në çdo, por qelizë e neuron. A mundemi ne si shoqëri e komb të dalim prej alibisë sonë masive: Fukarallëk – Maskarallëk? A mund të ndërtojmë edhe ne një besim të tillë të këtij dimensioni si: Varfëria – Fisnikëria? Apo do vazhdojmë të qaravitemi për varfërinë dhe fatin tonë të zi, e të ankohemi e këndojmë se, ish ditë e premte, ditë e mallkuar, prandaj ky vend nuk behet dot, sepse ne bëjmë apo pranojmë maskarenj e maskarallëqe sepse jemi fukarenj? Unë nuk e pranoj dot varfërinë si justifikim e alibi, as për të shitur votat, as për të shitur veten as dinjitetin, as për të votuar, pranuar e adhuruar sunduesit batakçinj, politikanët plaçkëbërës, cubat, të fortët, mashtruesit, dhunuesit dhe kaqolat e mafiozët. Unë besoj se varfëria duhet të jetë fisnikëri. Ose bëhemi shumicë ne që e mendojmë kështu, ose maskarallëku do të na mbysë në këtë atdhe, ose do të na përzërë nga ky atdhe.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co