Bota

Gara për Shtëpinë e Bardhë/ VOA: Donald Trump pritet të flasë për ekonominë, por a do t’i përmbahet temës?

gara per shtepine e bardhe voa donald trump pritet te flase per ekonomine por a do ti permbahet temes





































Ish Presidenti Donald Trump do të ketë shansit të mërkurën për të rikalibruar fushatën e tij për Shtëpinë e Bardhë. Ai mund ta bëjë këtë gjatë një tubimi që mban të mërkurën në Karolinën e Veriut, ku pritet të mbajë një fjalim të rëndësishëm për ekonominë.

trump

Tubimi do të mbahet në qytetin Asheville, që është pro demokratëve, por rrethohet nga distrikte që mbështesin republikanët. Fjalimi i zotit Trump mund të ketë ndikim për ish-presidentin në nivel kombëtar dhe lokal.

Republikanët po kërkojnë që zoti Trump të ndryshojë argumentet dhe sulmet që ai ka bërë ndaj Nënpresidentes Kamala Harris që kur demokratët e zgjodhën atë si kandidaten e tyre për President. Dy herë në javën e fundit, zoti Trump nuk e ka bërë një gjë të tillë. Mundësinë e parë e pati në një konferencë shtypi njëorëshe në pronën e tij në Mar-a-Lago në Florida. Mundësinë e dytë për të ndryshuar strategjinë e fushatës së tij e pati në një bisedë që zgjati 2 orë e gjysmë në platformën e mediave sociale X me shefin ekzekutiv të këtij rrjeti social, Elon Musk.

Mundësia e radhës do të jetë në një shtet të pavendosur që ai e fitoi herën e fundit, para katër vjetësh. Zoti Trump fitoi në Karolinën e Veriut në garën me Presidentin Joe Biden në zgjedhjet e vitit 2020 me më pak se 1.4 pikë epërsi. Atij i duhet të bëjë përpjekjet maksimale që 16 votat elektorale të shtetit të mos kalojnë te demokratët për herë të parë që kur Barack Obama fitoi Karolinën e Veriut në vitin 2008.

“Ne presim me padurim që Presidenti Trump të vijë në Karolinën e Veriut dhe të flasim për mënyrën se si ai do të përmirësojë ekonominë tonë”, tha kryetari i republikanëve në Karolinën e Veriut, Jason Simmons. “Kjo vizitë tregon se republikanët e kuptojnë se Karolina e Veriut është më e madhe dhe se ka zona të tjera që gjithashtu kanë rëndësi e jo vetëm kryeqyteti Charlotte. Këto komunitete këtu janë të rëndësishme.”

Pyetja që shtrohet është nëse zoti Trump mund t’u përmbahet çështjeve të ekonomisë, duke e mbajtur fokusin e kritikave ndaj zonjës Harris tek pasojat e inflacionit, në vend që të kalojë tek ofendimet e zakonshme.

Nënpresidentja Harris planifikon të shkojë në Karolinën e Veriut të premten për të paraqitur më shumë detaje të planit të saj për të “ndihmuar shtresën e klasës së mesme … një nga qëllimet kryesore presidencës sime”.

Sigurisht, zoti Trump ka sulmuar më parë Shtëpinë e Bardhë në lidhje me ekonominë. Por ai e ka bërë këtë kryesisht me hiperbola, duke thënë se eknomia ka shënuar një rënie për shkak të zonjës Harris, të ngjashme me krizën e madhe ekonomike të vitit 1929. Ai gjithashtu ka bërë paralajmërime të përgjithshme se e rast të fitores së zonjës Harris , do të ketë një “Luftë të Tretë Botërore” dhe se zonat periferike amerikane do të “mbyten nga bandat e dhunshme të huaja” që janë lejuar të hyjnë në Shtetet e Bashkuara nga Shtëpia e Bardhë. “Zoti Trump bëri pretendime pothuajse identike gjatë përballjes me zotin Biden në zgjedhjet e vitit 2020.

Javët e fundit ai ka pohuar se “nuk do të kishte inflacion” po të ishte rizgjedhur ai, duke injoruar ndërprerjet globale të zinxhirit të furnizimit gjatë pandemisë së COVID-it; rritja e shpenzimeve për COVID-in që përfshinte një paketë masive ndihme që zoti Trump e nënshkroi si president; dhe efektet globale të çmimit të energjisë nga nisja e agresionit rus në Ukrainë.

Ish-presidenti ka premtuar gjithashtu një ulje të menjëhershme të çmimeve të larta nëse merr një mandat të dytë. Propozimet e tij kryesore të politikave në këtë front janë rritja e shpimeve për naftë, pavarësisht se prodhimi amerikan i naftës ka arritur nivelet më të larta ndonjëherë nën administratën e zotit Biden, si edhe vendosjen e tarifave të reja për importet e huaja. Ai gjithashtu është zotuar për vazhdimin e uljes së taksave që e filloi në vitin 2017, një politikë kjo që do të skadojë në administratën e ardhshme. Zoti Trump gjithashtu është zotuar për heqjen e taksave për bakshishet e kamarierëve dhe heqjen dorë nga investimet e epokës së zotit Biden në energjinë dhe infrastrukturën më të gjelbër.

Por gjatë bisedës me zotin Musk, në platformën e tij të ‘Truth Social’ dhe në tubimet e tij më të fundit dhe intervistat e tjera, zoti Trump ka lënë në hije axhendën e tij ekonomike. Ai ka sulmuar personalisht zonjën Harris, duke e akuzuar atë në mënyrë të rreme për identitentin e saj racor dhe etnik. Ai u është rikthyer sulmeve të vjetra ndaj Presidentit Biden dhe ka përsëritur pretendimin se humbja e tij në vitin 2020 ishte për shkak të mashtrimit sistematik me vota. Së fundmi, ai ka filluar të sulmojë përmasat dhe entusiazmin e turmave që zonja Harris po tërheq në tubimet e saj, madje duke pretenduar në mënyrë të rreme se një foto e tubimit të saj ishte fabrikuar me Inteligjencë Artificiale.

Këta faktorë e kanë bërë të vështirë për zotin Trump që të paraqesë një kontrast të qartë me demokratët, pavarësisht se këshilltarët e tij e kanë nxitur ta bëjë një gjë të tillë.

Një këshilltar i zonjës Harris tha të mërkurën se nuk ka rëndësi për Nënpresidenten se çfarë krahasimesh bën zoti Trump.

“Pavarësisht se çfarë thotë ai, një gjë është e sigurt: Trump nuk ka asnjë plan, asnjë vizion dhe asnjë objektiv konkret për të ndihmuar familjet e shtresës së mesme”, u shpreh drejtori i komunikimeve të Nënpresidentes Michael Tyler në një njoftim publik. Zoti Tyler vuri në dukje ngadalësimin ekonomik gjatë pandemisë dhe uljet e taksave të vitit 2017, të cilat ata thonë se u bën për të ndihmuar korporatat dhe familjet e pasura. Ai gjithashtu parashikoi që propozimet e zotit Trump për tregtinë, taksat dhe ndryshimin e politikave të Presidentit Biden do të “rrisnin inflacionin në qiell dhe do t’i kushtonin ekonomisë sonë miliona vende pune, të gjitha këto për të përfituar të pasurit dhe interesat e veçanta.”

Duke njoftuar për fjalimin në Karolinën e Veriut, ekipi i zotit Trump përmendi ndikimet e inflacionit në Karolinën e Veriut prej inaugurimit të zotit Biden në viti në 2021.

Ekipi i zotit Trump bëri të njejtën gjë para tubimit të 3 gushtit në Atlanta. Ish Presidenti përmendi të njejtën gjë duke lexuar fjalimin e tij, por kjo ndodhi vetëm në fund të 91 minutave të fjalimit të tij dhe pasi disa mijëra vetë ishin larguar nga tubimi.

Karolina e Veriut është një nga shtetet e papërcaktuara të këtyre zgjedhjeve.

Ekipi i zonjës Harris ka mbi 20 zyra dhe një personel prej 170 vetash në tërë Karolinën e Veriut. Që kur u bë kandidatja e demokratëve, rreth 12 mijë vullnetarë janë regjistruar për të ndihmuar fushatën e saj, njoftoi ekipi i zonjës Harris.

Zëdhënësi i Partisë Republikane në këtë shtet, Matt Mercer tha se ata kanë mbi 10 zyra në Karolinën e Veriut. Mbi 10 punonjës të fushatës për t’u rizgjedhur të zotit Trump janë duke punuar për të zgjeruar rrjetin e vullnetarëve në tërë shtetin.

Qyteti Asheville dhe zonat përreth kanë rëndësi kyçe për rezultatin në këtë shtet. Qyteti ka kryesisht prirje liberale dhe tërheq studentë me bindje të majta, pensionistë dhe turistë. Por, distriktet përreth në pjesën perëndimore të shtetit, në zgjedhjet e fundit janë kthyer kryesisht në zona të mbizotëruara nga republikanët./VOA

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co

Similar Posts